Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Tairi e Rexhaj prej talentëve më të mëdhenj që ka Zvicra

Tairi e Rexhaj prej talentëve më të mëdhenj që ka Zvicra

Zidan Tairi e Agon Rexhaj

Pas kalimit të Leon Avdullahut te Kosova, në Zvicër po merren gjithnjë e më shumë me futbollistët që kanë prejardhje nga vende të tjera. 

Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka thënë ditë më parë se “më shumë se 70 për qind e lojtarëve tanë janë me shtetësi të dyfishtë”.

“Blick” ka bërë një analizë lidhur me lojtarët e rinj që janë pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës e që mund të kalojnë në përfaqësuese të tjera.

“Shtetasit e dyfishtë në ekipin përfaqësues kanë një traditë të gjatë. Pas ndërrimit të mijëvjeçarit, numri i lojtarëve me rrënjë nga Ballkani u rrit ndjeshëm. Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Haris Seferoviq, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka i kanë dhënë formë ekipit për shumë vjet. Në skuadrën prej 23 lojtarëve që do të përballet me Kosovën në ndeshjen hapëse kualifikuese për Kupën e Botës, të premten, më shumë se gjysma e lojtarëve janë me shtetësi të dyfishtë. Shumë prej tyre janë me rrënjë afrikane”, shkruan “Blick”.

Te përfaqësuesja U21 e Zvicrës po ashtu ka plot lojtarë me rrënjë nga vende të tjera. Më i njohuri është Zachary Athekame, që ka rrënjë afrikane. Ai u transferua nga Young Boysi te Milani për 10 milionë euro. Janë edhe disa shqiptarë.

Edhe “Sa shumë Zvicër te Kosova” Futboll “Sa shumë Zvicër te Kosova”

Por lojtarët me prejardhje nga vende të tjera janë të shumtë edhe në ekipet e grupmoshave më të reja të Zvicrës. Shumë prej tyre janë shqiptarë.

Zidan Tairi e Agon Rexhaj vlerësohen prej më të talentuarve.

“Rrënjët e tij shtrihen në Maqedoninë e Veriut, por dhjetëshja klasike mund të luajë edhe për Kosovën apo Shqipërinë. Një lojtar shumë kreativ, teknikisht i fortë dhe intelegjent, me cilësi lidershipi. Ai së shpejti mund të bëjë kalimin në ekipin e parë të Hoffenheimit”, shkruan “Blick” për Tairin.

18-vjeçari luan për U19 të Zvicrës dhe për të rinjtë e Hoffenheimit në Gjermani, klub ku janë edhe Leon Avdullahu, Fisnik Asllani e Albian Hajdari, që po ashtu mund të vendosë për Kosovën e të largohet nga Zvicra.

Agon Rexhaj është sulmues 18-vjeçar i Baselit, që luan për U19 të Zvicrës.

Edhe Në Zvicër japin ide se si t’i ndalin talentët – një menaxher për lojtarët me shtetësi të dyfishtë Futboll Në Zvicër japin ide se si t’i ndalin talentët – një menaxher për lojtarët me shtetësi të dyfishtë

“Pasi tërhoqi interesim nga klubet kryesore evropiane një vit më parë, sulmuesi i krahut nënshkroi kontratë të re trivjeçare me Baselin. Për shkak të prejardhjes shqiptare është i kualifikuar të luajë për disa vende. Është shquar me numrin e madh të golave të shënuar në përzgjedhjet e Federatës së Futbollit të Zvicrës”, shkruan “Blick” për Rexhajn.

Te Zvicra A aktualisht është vetëm kapiteni Granit Xhaka. Ardon Jashari nuk është grumbulluar për shkak të një lëndimi. Por të tjerë shqiptarë vlerësohet se janë afër përfaqësueses helvetike.