Futboll

Sylvinho flet për kalimin e Bajramit nga Shqipëria te Zvicra

Adrian Bajrami

Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, ka folur të mërkurën për kalimin e mbrojtësit Adrian Bajrami nga Shqipëria te Zvicra.

Bajrami 23-vjeçar deri më tani ishte pjesë e kuqezinjve, por ka vendosur të luajë për Zvicrën. Pasi nuk ka luajtur ndeshje garuese, ai e ka të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses.

“Më telefonuan nga Federata dhe më thanë që Adrian Bajrami ka zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Zvicrës. Kam folur rreth 30 minuta në telefon me të. Nuk kam shumë gjëra për të thënë, kjo është një situatë që ndodh kudo nëpër botë. Edhe gjatë kohës që kam qenë në Kombëtaren e Brazilit, kanë qenë dy-tre lojtarë që ishin mes Brazilit dhe Italisë. Kjo është e vërteta. I uroj gjithë të mirat dhe shumë fat lojtarit”, ka thëën Sylvinho.

Braziliani është pyetur nëse ndihet fajtor për largimin e Bajramit për te Zvicra.

“Jo, nuk ndihem fajtor. Gjithmonë mundohem të bëj më të mirën për grupin dhe ekipin. Kam një staf shumë të mirë , me të cilin punoj vazhdimisht për lojtarët. Dy vite më parë, më kujtohet, është një eksperiencë interesante. Unë një brazilian, flisja në gjuhën portugeze me një shqiptar. Asokohe, ai kishte pak probleme. Nuk luante shumë te Benfica. Jemi munduar ta mbështesim dhe i është bashkuar kombëtares në momente të caktuara, së fundmi edhe në qershor. Madje kemi folur edhe për elemente taktike me Bajramin, por këto mbeten private. Pas vendimit të tij, kam folur 30 minuta në telefon. Mbetet private. E kam përjetuar këtë gjë më parë edhe kur kam qenë pjesë e Brazilit. I uroj suksese lojtarit, por nuk ndihem në faj”, ka thënë Sylvinho.