Sulmuesi i Nottinghamit, Taiwo Awoniyi, është vendosur në komë pas fazës së parë të një operimi serioz në bark.
Ylli i Nigerisë, u përplas për shtylle në minutën e 88-të të barazimit 2:2 me Leicesterin të dielën në Premier League, teksa tentoi ta mbërrinte një pasim nga Anthony Elanga.
Ai u operua të hënën në mbrëmje dhe mbetet në spital, e pjesa e mbetur e procedurave do të kryhet të mërkurën.
Në një komunikatë për media të martën, klubi njoftoi se 27-vjeçari “po merr veten mirë” pas operimit.
Awoniyi, që hyri si zëvendësues në atë ndeshje, mori trajtim të gjatë shëndetësor në fushë.
Klubi që sivjet befasoi me paraqitje të mira dhe është në garë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve u shpreh po ashtu se “lëndimi i Awoniyit është përkujtim i fuqishëm i rreziqeve fizike të ndeshjes dhe se përse shëndeti dhe mirëqenia e një futbollisti është primare”.