Edicionin e kaluar ishte një hap larg elitës së futbollit kosovar. E fitoi barazhin e Ligës së Parë ndaj Dinamos së Ferizajt pas ekzekutimit të penalltive. Por u ndal në barazhin e Superligës nga Feronikeli 74, që tashmë ka rënë nga elita.
Dhe Prishtina e Re të dielën e ka arritur suksesin që e ka synuar gjatë – u inkuadrua në Superligën e Kosovës në futboll.
Skuadra me emër të veçantë u shpall kampione e Grupit B të Ligës së Parë dhe për herë të parë u inkuadrua në Superligë.
Prishtina e Re e siguroi titullin pas fitores ndaj Kikës në xhiron e fundit të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Elon Berisha e përfundoi kampionatin me 69 pikë. Gjatë gjithë edicionit i pësoi vetëm dy humbje.
Prishtina e Re si klub u themelua në vitin 2020. Fillimisht garoi në kategorinë e katërt të futbollit kosovar. Më pas bëri gara në nivelin e tretë dhe në dy vitet e fundit ishte pjesë e Ligës së Parë.
Drejtori sportiv i Prishtinës së Re, Sami Boroci, deklaroi se objektivi i klubit që nga themelimi ka qenë që ta sigurojë pjesëmarrjen në Superligë. Por shumë njerëz nuk e kanë besuar një gjë të tillë, thotë Boroci.
“Jemi shumë të lumtur. Është një punë shumë e madhe prapa këtij suksesi që për neve është historik. Ka qenë një sakrificë, një përkushtim shumë i madh i një stafi kryesisht të ri por shumë profesional. Klubi është themeluar në vitin 2020 dhe ka qenë një vizion i yni që e kemi ndërtuar që atëherë, që për një kohë katër deri në pesë vjet të arrijmë në elitën e futbollit kosovar. Për shumë njerëz ka qenë iluzion, jemi dukur që kemi ambicie pak të tepruara por ne kemi ndjekur rrugën e përcaktuar”, ka thënë Boroci.
Kontribut në suksesin e Prishtinës së Re ka dhënë kapiteni i skuadrës, Dardan Jashari.
35-vjeçari është shumë i lumtur që skuadra e tij është inkuadruar në Superligë.
“Jemi shumë të lumtur pasi që ky ekip është themeluar që pesë vjet dhe brenda pesë viteve të arrijmë këtë sukses është shumë punë e madhe. Ka qenë një edicion shumë i vështirë duke e ditur se e kemi pasur rivalen direkte, Vushtrrinë. Pavarësisht se e kemi krijuar një distancë të pikëve shtatë apo tetë xhiro pa përfunduar kampionati, distanca e pikëve u zvogëlua. Por me punë dhe përkushtim e kemi arritur qëllimin tonë”, ka thënë Jashari.
Qendërmbrojtësi me përvojë thotë se synimi i Prishtinës së Re në Superligë është të krijojë stabilitet.
“Besoj që ambiciet e Prishtinës së Re për fillim janë qëndrimi në Superligë. Besoj se Prishtina e Re do të jetë hijeshia e Superligës. Ka talent, djem të rinj, është një ekip me mentalitet fitues”.
Prishtina e Re ka pasur probleme të shumta edhe me stadium. Për kohë të gjatë stadiumi i ekipit në
Hajvali është duke u rinovuar. Prishtina e Re shumicën e ndeshjeve si vendas i ka luajtur në stadiumin e Flamurtarit.
Në Superligë është inkuadruar edhe Drenica, nga grupi tjetër i Ligës së Parë. Nga Superliga largohet Feronikeli 74, ndërsa skuadra tjetër ka mbetur të përcaktohet në xhiron e fundit.