Futboll

Prishtina e Re ndan rrugët me trajnerin

prishtina e re

Klubi që u inkuadrua këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll, Prishtina e Re i ka ndarë rrugët me trajnerin Elon Berisha.

Ky vendim i Prishtinës së Re vjen pas disfatës që e pësuan të dielën nga kampionia e Kosovës, Drita me rezultatin 2:1.

Postin e trajnerit do ta ushtrojë Shpëtim Babaj, i cili deri më tani ishte drejtor sportiv te ky klub.

“KF Prishtina e Re njofton opinionin sportiv dhe të gjithë mbështetësit e saj se, pas një vendimi të përbashkët të Bordit të klubit dhe me marrëveshje të plotë me kryetrajnerin Elon Berisha, është vendosur për ndryshime në stafin teknik.

Detyrën e kryetrajnerit do ta ushtrojë Shpëtim Babaj, deri në një vendim tjetër, i cili deri më tani ka qenë në pozicionin e Drejtorit Sportiv pranë KF Prishtina e Re”, ka shkruar Prishtina e Re të hënën.

Prishtina e Re tutje ka shkruar se Berisha do të mbetet pjesë e klubit por në një rol tjetër.

Pas pesë xhirove të zhvilluara, Prishtina e Re renditet në pozitën e gjashtë me gjashtë pikë.