Futboll

Spektakël anglez në finale të Ligës së Evropës

Bilbao - Liga e Evropes

Një skuadër angleze do të jetë fituese e edicionit 2024/2025 të Ligës së Evropës. Liga e Evropës është gara e dytë kontinentale për nga rëndësia. Është pas Ligës së Kampionëve, ndërsa në finale do të përballen dy skuadrat tradicionale angleze, Tottenhami dhe Manchester Unitedi. Finalja zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “San Mames”, në Bilbao të Spanjës.

Për Tottenhamin dhe Manchester Unitedin është mundësi e artë për ta shpëtuar edicionin. Fituesi i Ligës së Evropës kualifikohet për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Në Premier League, si Tottenhami ashtu edhe Unitedi kanë pasur kampanjë dëshpëruese. Një xhiro para fundit, Tottenhami është i 17-ti me 38 pikë. Manchester Unitedi e ka një pikë më shumë në vendin e 16-të. Janë këto dy pozitat e fundit që nuk e dërgojnë në Championship.

Rreth 50 mijë tifozë anglezë priten në Bilbao të mërkurën. Masat e sigurisë janë të rrepta, ndërsa rreth stadiumit është vënë një rrethojë tri metra e lartë. Mbi 3.000 policë janë angazhuar për të ofruar siguri. Zona tifozësh me ekrane gjigante janë ngritur larg qendrës së qytetit, për të tërhequr tifozët që nuk kanë bileta. Të dyja klubet i kishin në dispozicion nga 15 mijë bileta.

Distanca mes grupeve të tifozëve do të jetë 2.5 kilometra, për të minimizuar përplasjen mes tyre.

Të dyja skuadrat janë të përkushtuara që ta fitojnë trofeun e Ligës së Evropës.

“E dimë që ky edicion nuk ishte as afër i mjaftueshëm për klubin dhe për standardin tonë”, ka thënë mbrojtësi i Unitedit, Harry Maguire.

Është pritur që Unitedi të kthehet te rezultatet e mira me portugezin Ruben Amorim. Megjithatë kriza nuk është kaluar dhe “djajtë e kuq” vazhdojnë të kenë telashe për të marrë pikë dhe për të treguar futboll të mirë në Premier League. Pozita në tabelë është dëshmi për këtë.

“Ta fitojmë Ligën e Evropës nuk është e mjaftueshme për tifozët, e dimë këtë. Nuk është e mjaftueshme për përkrahjen që morëm gjatë gjithë garës. E di që tifozët tanë do të jenë në Bilbao edhe nëse nuk kanë bileta. I falënderoj të gjithë për atë që kanë bërë gjatë gjithë edicionit. Do të bëjmë më të mirën që t’i shpërblejmë me diçka”, ka thënë Amorim.

Tottenhami zakonisht është në mesin e skuadrave të kreut të tabelës, por ka vuajtur shumë këtë edicion. Por finalja në Bilbao është mundësi e artë edhe për këtë skuadër.

“Nëse fitojmë trofeun do të ishte moment shumë i veçantë, moment historik. Ka dhjetë vjet që jam këtu dhe dua ta përfundojë pritjen për trofe. Është ditë e madhe për klubin. Nesër shpresoj se mund të shpërblejmë tifozët me trofe”, ka thënë ylli i Tottenhamit, jugkoreani Heung-Min Son.

Ai e ka sanuar një lëndim dhe është gati për finale. Ka thënë se për të gjithë skuadrën është ndeshja më e madhe e edicionit.

“Në çdo ndeshje 15 minutat e parë janë shumë të rëndësishëm. Duhet të fillojmë mirë, ta gjejmë ritmin dhe ta fitojmë besimin që na duhet”, ka shtuar Son.

Në finale të Ligës së Kampionëve do të luajnë Parisi e Interi, më 30 maj. Ndërkohë në finale të Ligës së Konferencës, që është niveli i tretë i garave evropiane, përballen Real Betisi dhe Chelsea.