Futboll

Southgate jep dorëheqje nga posti i selektorit të Anglisë

Gareth Southgate

Selektori i Anglisë, Gareth Southgate, ka dhënë dorëheqje pas humbjes së dytë rresht në finale të Kampionatit Evropian.

“Tre Luanët” humbën 2:1 nga Spanja në Berlin të dielën. Anglia ishte mposhtur në finale të Euro 2020 nga Italia në penallti.

53-vjeçari ka drejtuar Anglinë në 102 ndeshje. Southgate ishte selektor për tetë vjet.

“Si një anglez krenar, ishte nderi i jetës sime të luaj për Anglinë dhe ta drejtoj Anglinë”, ka thënë Southgate.

“Ishte çdo gjë për mua dhe kam dhënë më të mirën. Por është koha për ndryshim dhe për kapitull të ri”, ka shtuar Southgate, që kishte kontratë deri në dhjetor.

“Ndeshja e së dielës ndaj Spanjës ishte e fundit e imja si selektor i Anglisë. I jam bashkuar federatës angleze në vitin 2011, i vendosur për të përmirësuar futbollin anglez. Gjatë kësaj kohe, duke përfshirë tetë vjetët si përzgjedhës, jam përkrahur nga disa njerëz brilantë dhe ata kanë falënderimet e mia të përzemërta. Kam pasur privilegjin të drejtoj një grup të madh lojtarësh në 102 ndeshje. Secili prej tyre ishte krenar të mbante tre luanët në fanellë dhe ata kanë dhënë shumë për vendin e tyre.  Ekipi që kishim në Gjermani është me plot talente dhe ata mund ta fitojnë trofeun që e ëndërrojmë të gjithë”.

Southgate ishte selektor nga viti 2016. Erdhi në vend të Sam Alladryce. Ai ishte selektori i U21 të Anglisë nga viti 2013 deri në vitin 2016. Ka pasur karrierë të madhe edhe si lojtar.

Anglia me Southgaten është paraqitur në çdo ngjarje të madhe, ndërsa i është afruar shumë pranë trofeut të shumëpritur.

Southgate ka thënë se është krenar me lojtarët. Ka falënderuar edhe stafin për mbështetjen e madhe gjatë tetë vjetëve.

“Ne kemi tifozët më të mirë në botë dhe mbështetja e tyre është gjithë bota për mua. Unë jam tifoz i Anglisë dhe do të jem gjithmonë. Mezi pres të shikoj dhe të festoj ndërsa lojtarët do të vazhdojnë të ofrojnë kujtime të veçanta dhe frymëzojnë vendin ashtu siç e dimë se mund ta bëjnë. Faleminderit Angli, për të gjitha”, ka përfunduar Southgate.

Nën drejtimin e tij Anglia kishte periudhën prej më të mirave në histori. Por trofeu i dëshiruar nga të gjithë anglezët nuk u fitua.