Irlanda pritet të ketë përkrahje të tifozëve në ndeshjen ndaj Kosovës, që zhvillohet nesër prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dhe, si zakonisht, Federata e Futbollit të Irlandës, ka publikuar informacionet e nevojshme për tifozët e saj. Në këtë njoftim janë edhe disa të dhënë interesante për tifozët irlandezë.
“Prishtina në përgjithësi konsiderohet qytet i sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë. Si në çdo ngjarje të madhe sportive, tifozët këshillohen të tregohen të kujdesshëm me gjërat e tyre personale në zona me shumë njerëz”, ka shkruar Federata Irlandeze e Futbollit.
Tifozët irlandezë janë këshilluar edhe për flamujt.
“Flamuri i Kosovës dhe ai i vendit simotër, Shqipërisë, janë shumë të dukshëm në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit, aktual apo nga e kaluara”.
Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me shikues për ndeshjen e së enjtes mbrëma.