Pasi kishte telashe për të shfaqur potencialin te Lazio në Serie A, Vedat Muriqi u huazua për gjashtë muaj te Mallorca në Spanjë. Ndodhi kjo fare në fund të afatit kalimtar të janarit, në vitin 2022.
Si i huazuar te Mallorca luajti në 16 ndeshje në La Liga, duke shënuar pesë gola dhe duke bërë tri asistime. Por huazimi ishte i vlefshëm vetëm deri në fund të qershorit të vitit 2022.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMuriqi ishte përshëndetur me bashkëlojtarët dhe askush nuk ka mundur të parashikojë që ai një ditë do të jetë legjendë e klubit prej të cilit po largohej pas periudhës së huazimit.
Ende nën kontratë me Lazion, Muriqi pritej të transferohej te Club Brugge në Belgjikë. Madje edhe vet ai e kishte vlerësuar punë të kryer kalimin te Brugge. Dhe për këtë kishte folur për një medium turk, në fillim të korrikut të vitit 2022.
Transferimi pritej t’i kushtonte klubit belg 11 milionë euro. Muriqi udhëtoi për në Belgjikë, por transferimi megjithatë nuk u realizua. Ka pasur akuza për trajtim jo të mirë të kosovarit nga klubi belg. Askush nga drejtuesit e Brugge nuk doli në aeroport për ta pritur Muriqin dhe këshilltarin e tij, ndërsa pas kontrollimeve mjekësore klubi belg u zmbraps nga transferimi, duke përmendur probleme fizike.
“Na dërguan në një shtëpi me qira pasi të gjitha dhomat e hoteleve ishin të zëna. Nuk më pëlqeu kjo, më bëri nervoz”, kishte pranuar Muriqi më pas, derisa kishte treguar ditën e parë në Belgjikë.
Por me kaq nuk përfundoi trajtimi jo i denjë i klubit belg ndaj kosovarit. Erdhi koha për teste mjekësore.
“Vedati u tha përgjegjësve të klubit belg se nuk mund të bënte më të mirën në testin ku duhej të vraponte me maskë. Ai nuk kishte stërvitur dhe nuk donte të rrezikonte, ta dëmtonte veten. Kështu që ata i thanë të bëjë sa të mundet”, kishte treguar një i afërm i sulmuesit.
Në radhë ishte nënshkrimi i kontratës, por ndërkohë klubi kishte shkruar në rrjetet sociale se Muriqi nuk ka kaluar me sukses testet mjekësore. Për këtë nuk e kishte njoftuar futbollistin paraprakisht, siç është praktikë. Kjo ishte një strategji e klubit belg për ta ulur çmimin e transferimit. Dhe Muriqi u kthye në Itali pa firmosur.
Më pas Brugge bëri përpjekje për ta huazuar Muriqin. Sulmuesi i fuqishëm refuzoi.
Fituesja e madhe e këtij zhvillimi ishte Mallorca. Pasi fillimisht nuk kishte fonde për të transferuar Muriqin për shifrën që e kërkonte Lazio, Mallorca siguroi shërbimet e tij për vetëm 7,7 milionë euro. Te Lazio kishin ndjenja të përziera që liruan sulmuesin për dëmshpërblim kaq të vogël, pasi e kishin blerë Muriqin për plot 20 milionë euro dhe i kishin vënë klauzolë lirimi prej 30 milionë euro.
Kthimi te Mallorca vetëm tri javë pasi i përfundoi huazimi te kjo skuadër, ishte lëvizja më e mirë e mundshme e Muriqit.
Ai tashmë është golashënuesi më i mirë në histori të skuadrës në La Liga. Është po ashtu golashënuesi i katërt më i mirë në futbollin evropian këtë edicion, pas Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland. Falë golave të Muriqit, Malloca është në pozitë të mirë për të siguruar mbetjen në La Liga.
Ndoshta Muriqi edhe në Brugge do të shkëlqente. Kjo nuk dihet. Por ai moment i dha drejtim karrierës së sulmuesit më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.