Drita e Gjilanit ka pritur pesë vjet për titullin e radhës, të katërtin gjithsej. Si kampione, Drita do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në edicionin 2025/2026.
Kundërshtar të parë në rrugëtimin e ri në Evropë, Drita mund ta ketë një ekip tjetër shqiptar.
Kampionia e Kosovës është në grupin e ekipeve bartëse për shortin e raundit të parë kualifikues të Championsit, që do të tërhiqet të martën në Nyon të Zvicrës.
Gjithsej 28 ekipe do të marrin pjesë në raundin e parë kualifikues. Në vazon e ekipeve jo bartëse tjera janë kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe kampionia e Shqipërisë, Egnatia.
Kundërshtarë të mundshëm të Dritës janë edhe Inter Club D’Escaldes i Andorrës, Levadia e Estonisë, Dinamo Minsk e Bjellorusisë, Hamruni i Maltës, Kairati i Kazakistanit, Milsami i Moldavisë, Noha e Armenisë, Differdange e Luksemburgut, Iberia 1999 e Gjeorgjisë, Vikinguri i Ishujve Faroe, Shelbourne e Irlandës dhe Virtusi i San Marinos.
Bartëse në short pos Dritës janë skuadra dukshëm më të njohura evropiane si Ludogoretsi, FCSB, Malmo, Zhalgirisi, Olimpija Lubjana.
Nuk përjashtohet mundësia që UEFA të përcaktoi katër kundërshtarë të mundshëm për secilin ekip, por skuadrat bartëse e jobartëse për short nuk ndryshojnë më.
Ndeshjet e para luhen më 8 e 9 korrik, kurse ato të kthimit më 15 e 16 korrik.
Drita merr pjesë rregullisht në garat evropiane që nga edicioni 2018/2019. Është vlerësuar për paraqitjen e mirë sidomos ndaj skuadrave të njohura si Feyenoord e Antwerp.
Në total ka 20 ndeshje në kualifikime për Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Ka fituar shtatë, ndërsa ka edhe katër barazim dhe nëntë disfata.
“Shpresojmë të mos e kemi kundërshtar të parë njërin prej klubeve shqiptare. Jo për shkak të formës, por për shkak se janë klube shqiptare dhe nuk duam të kemi përballje në këtë fazë të garave. Pozitive është që jemi në grupin e ekipeve bartëse, sepse në të kaluarën nuk kemi pasur fat në short. Synimi i parë është të bëhemi ekipi parë që kalon raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Do të kishim pastaj rrugë më të lehtë”, ka thënë drejtori i Dritës, Feti Murseli.
Të martën kundërshtarin e parë për edicionin e ri e mëson edhe Prishtina. Fituesja e Kupës së Kosovës paraqitet në kualifikimet e Ligës së Evropës, përkatësisht në raundin e parë.
Prishtina është e fundit në vazon e ekipeve jo bartëse. Bartës në short është Partizani i Beogradit. Por UEFA nuk lejon përballjet e klubeve e as përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë.
Prishtina do të ketë punë të vështirë në rundin e parë kualifikues. Kundërshtarët e mundshëm janë: Shakhtar Dontesku, Legia e Varshavës, Sheriff Tiraspoli, Cluji, Hapoel Be’er Sheva, Celje dhe Spartak Tmava.
Te Cluji rumun janë tre futbollistë të Kosovës: Meriton Korenica, Lindon Emërllahu dhe Drilon Islami. Islami së fundi luajti te Prishtina.
Prishtina në garat evropiane merr pjesë nga edicioni 2017/2018. Ka luajtur 23 ndeshje, ndërsa ka shtatë fitore, shtatë barazime dhe nëntë humbje.
“Në këtë fazë të Ligës së Evropës, çdo ekip ka cilësi dhe eksperiencë, ndaj nuk ka kundërshtar të lehtë. Normalisht, ka disa emra të mëdhenj që do të preferonim t’i shmangnim në short, por jemi të përgatitur për çdo sfidë. Shpresojmë të kemi një short të favorshëm, por fokusi ynë kryesor mbetet te vetja, të jemi të disiplinuar, të besojmë në grupin që kemi dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje.
Synimi është të kalojmë sa më shumë raunde dhe të përfaqësojmë denjësisht klubin dhe futbollin tonë në arenën evropiane”, ka thënë drejtori sportiv i Prishtinës, Driton Krasniqi, për KOHËN të dielën.
Suksesin më të madh nga klubet e Kosovës e ka Ballkani. Klubi nga Suhareka ka luajtur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Ballkani i nis nga rundi i dytë kualifikimet e Ligës së Konferencës. Nënkampioni i Kosovës është në grupin e ekipeve bartëse në shorti. Shorti për rundin e dytë tërhiqet të mërkurën.
Në rundin e parë të garës së tretë evropiane për nga niveli, paraqitet Malisheva. Malisheva e mëson kundërshtarin e parë të martën, kurse është në vazon e dytë.