Skuadra e Dritës të dielën bëri rrugën për në Luksemburg. Synimi i gjilanasve është i qartë – ta mbrojnë fitoren e arritur në Prishtinë ndaj skuadrës Differdange.
Kampionia e Kosovës, Drita, dhe kampioni i Luksemburgut, Differdange, po përballen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Të martën e kaluar në “Fadil Vokrri” u zhvillua ndeshja e parë. Fitore 1:0 shënoi skuadra gjilanase Drita, falë golit të Arb Manajt në minutën e 74-t. Drita nuk shkëlqeu, por mori fitoren e rëndësishme.
Ndeshja e kthimit është në Differdange të Luksemburgut, të martën nga ora 20:00. Nëse shmang humbjen, Drita avancon në raundin e dytë kualifikues të Championsit, që do të ishte sukses i madh.
Skuadra që eliminohet vazhdon në Ligën e Konferencës. Te Drita besojnë se do të mbesin edhe pas të martës në Champions.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Megjithatë, jemi optimistë që do të zhvillojmë ndeshje të madhe për të kaluar në raundin tjetër”, ka thënë kapiteni i Dritës, Rron Broja, të dielën për KOHËN.
Broja mungoi në ndeshjen e parë për shkak se ishte i suspenduar si pasojë e kartonëve të edicionit të kaluar. Mungesa e tij është vërejtur. Kthimi i mesfushorit qendror pritet të sjellë qetësi dhe stabilitet më të madh në lojën e Dritës.
Rezultati i ndeshjes së parë e lë të hapur sfidën për ndeshjen e kthimit. Megjithatë kampionia e Kosovës është në pozitë shumë të mirë për të avancuar.
Java e ardhshme do të jetë vendimtare edhe për Prishtinën e Malishevën. Megjithatë, të dy skuadrat janë në pozitë dukshëm më të vështirë se Drita.
Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, garon në raundin e parë të Ligës së Evropës. Përballë e ka skuadrën e madhe moldave, Sheriff Tiraspol. Të enjten në Tiraspol, Prishtina pësoi 4:0. Ndeshja e kthimit është të enjten e ardhshme nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri”. Ndeshja që do të transmetohet në KTV, do të jetë shumë sfiduese për skuadrën prishtinase. Rezultati 4:0 nga ndeshja e parë është goxha i thellë.
Edhe Prishtinë, nëse eliminohet, vazhdon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Sheriffi është në moment shumë të mirë. Ka katër ndeshje kampionale në Moldavi dhe i ka fituar të gjitha. Të dielën fitoi 1:0 në shtëpi.
Udhëtim dukshëm më i gjatë e pret Malishevën. Të enjten mbrëma, Malisheva luan në Reykjavik të Islandës. Do të përballet me skuadrën Vikingur. Ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, të luajtur të enjten në “Fadil Vokrri”, Malisheva e humbi 1:0.
Malishevasit janë shprehur optimistë për përmbysje të rezultatit, por kjo megjithatë nuk do të jetë e lehtë. Malisheva për herë të dytë po paraqitet në gara kontinentale. Vjet u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Buduqnosti i Podgoricës.
Pavarësisht rezultateve në ndeshjet e së martës e së enjtes, të paktën tri skuadra kosovare do të vazhdojnë të jenë në gara evropiane. Nënkampioni Ballkani starton prej raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.