Futboll

Shikuesit në Kosovë nuk po joshen nga ndeshjet ndërkombëtare

Drita - Omonia

Vetëm rreth 2000 shikues ishin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të enjten mbrëma për ndeshjen e Dritës me Omonian e Qipros. Ndeshja i takoi xhiros së dytë të fazës së ligës në “Conference League” në futboll. Zyrtarisht në stadiumin ishin 2250 shikues.

Për ndeshje evropiane, si ajo e së enjtes mbrëma, në Kosovë është pritur gjatë. Gjatë izolimit shumëvjeçar shumica e të përfshirëve në futboll ishin të bindur se stadiumet do të mbusheshin me shikues edhe për ndeshje të fazave kualifikuese. Për fazë grupore, që tani është zëvendësuar me fazë të ligës, pak kujt mund t’iu ketë shkuar në mendje se stadiumet do të jenë thuajse boshe.

Të gjitha parakushtet ekzistonin që në “Fadil Vokrri” të kishte katër-pesë herë më shumë shikues se që në të vërtetë ishin. Omonia ishte kundërshtare jo inferiore dhe me disa lojtarë goxha të njohur. Për më tepër, nga një vend që nuk e njeh shtetin e Kosovës e që shpesh është parakusht për numër më të madh shikuesish. Drita po kalonte moment të mirë dhe po e luante ndeshjen e parë ndonjëherë në shtëpi në fazë të ligës në gara evropiane. Në ndeshjen e parë kishte barazuar 1:1 në Finlandë me KuPS-in dhe shpresohej se do të bëhej hapi tutje, me fitore në shtëpi. Ndeshja u luajt në termin të përshtatshëm, në fillim të një mbrëmjeje të freskët, por sërish shikues kishte pak. Ndeshja përfundoi 1:1.

Natyrisht, ka të bëjë fakti që Drita nuk luan në Gjilan por në Prishtinë.

Por ndeshja e së enjtes vetëm e konfirmoi atë që po ndodhë për një kohë – sfidat ndërkombëtare të klubeve e po ashtu të përfaqësueseve, nuk po joshin numër të madh shikuesish në Kosovë. Përjashtim bën përfaqësuesja A në futboll.

Vetëm në ndeshjen e Lincolnit në Gjibraltar, të Breidablikut në Islandë dhe të Shkëndijës në Shkup ka pasur më pak shikues se në ndeshjen e Dritës, sa i takon Ligës së Konferencës. Në një ndeshje ishin mbi 30 mijë shikues, e në disa të tjera mbi 20 mijë. E në Kosovë, që ka pritur gjatë për ndeshje të këtij lloji, ishin dhjetë herë më pak.

Se shikuesit vështirë po joshen nga sfidat ndërkombëtare, u dëshmua edhe të premten. Shumica e tribunave ishin të zbrazëta në “Fadil Vokrri” në ndeshjen që futbollistet e Kosovës e luajtën ndaj Turqisë.

Por jo vetëm futbollin e mundon mungesa e shikuesve për ndeshje ndërkombëtare.

Trepça në basketboll luajti të mërkurën në “Minatori” me skuadrën e Bundesligës gjermane, Braunschweig. Duket befasi, por në palestrën buzë lumit Ibër ishin 1000 shikues, sipas raportit zyrtar. Ndeshja i takoi garës FIBA Europe Cup, kurse Trepça pësoi humbje.

Në skuadrat kosovare është ëndërruar gjatë për ndeshje si ajo, me skuadra të top-ligave evropiane, në kuadër të kupave kontinentale. “Minatori” stërmbushet me shikues për ndeshje me skuadra si Prishtina, Peja, Bashkimi. Por për ndeshje me skuadra evropiane edhe në vitet e kaluara ka pasur vazhdimisht vende të lira. Te Trepça janë të vetëdijshëm se interesimi për ndeshje me skuadrat rivale të vendit është dukshëm më i madh se për ndeshjet me skuadrat evropiane. Thonë se me sukses dhe me paraqitje të denja synojnë të kthejnë shikuesit edhe për ndeshje evropiane.

Peja e Sigal Prishtina po luajnë në Ligën ndërkombëtare ENBL, me skuadra solide evropiane, por pa shumë shikues në palestra po ashtu.

Në hendboll, lojtaret e Kosovës të dielën e kaluar luajtën ndeshje të mirë me Kroacinë cilësore. Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, e zbrazët ishte gjysma e palestrës. Ndërkohë shumë prej shikuesve ishin fëmijë të një programi shtetëror. Pra, kishte mungesë shikuesish të zakonshëm, ndonëse luante Kosova dhe përballë ishte Kroacia.

“Qindra fëmijë e bënë më madhështore atmosferën në ndeshjen Kosovë - Kroaci. Fëmijët erdhën të organizuar, si pjesë e programit shtetëror ‘Sporti në Shkolla’, dhe mësuan shumë për vlerat e vërteta të sportit dhe rëndësinë e prezantimit të shtetit tonë”, shkruan në një postim të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Edhe në volejboll ka pasur ndeshje ndërkombëtare, që kryesisht kanë kaluar në heshtje dhe pa shumë shikues.

Shikuesit mungojnë edhe në ngjarje të sporteve ku Kosova ka sukses kulmor. Për shembull në xhudo. Javë më parë në Pejë është mbajtur Kampionati Ballkanik për të rritur. Kishte luftëra shumë cilësore, ndërsa ndër të tjera u paraqit edhe Distria Krasniqi, kampionia olimpike. Por pos xhudistëve, shikues kishte pak. Në boks, edhe në turne ndërkombëtar, shikues thuajse nuk ka fare.

Federatat,  por edhe klubet, zakonisht organizojnë fushata për të mbledhur sa më shumë shikues. Në shumë prej ngjarjeve hyrja është falas. Por shikuesit po mungojnë.