Klubi i futbollit Vushtrria do t’i luajë dy ndeshjet e radhës si vendëse pa praninë e shikuesve.
Vushtrria është dënuar me dy ndeshje pa shikues dhe 2.500 euro gjobë për “lëshim në organizimin e ndeshjes” kundër Dritës fundjavën e kaluar. Vendimi i Komisionit Disiplinor dhe Etikës është marrë të enjten.
Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita e fitoi 1:0 Vushtrrinë, që ishte nikoqire e ndeshjes së luajtur në fushën me bar sintetik në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Në minutën e 13-të të ndeshjes pati tensione në tribuna mes tifozëve të Vushtrrisë dhe Dritës.
“Në minutën e 13-të, me ardhjen e tifozëve mysafirë që u vendosën në tribunën pas portës, fillojnë sharjet dhe ofendimet reciproke mes tifozëve, tentojnë të përfshihen në përleshje mes veti duke gjuajtur mjete të forta, mirëpo ndërhyn policia dhe i largon me forcë tifozët e KF Vushtrria. Për këtë arsye, ndeshja ndërpritet për rreth 13 minuta. Në minutën e 81-të, pas ndëshkimit të lojtarit vendas me karton të kuq, tifozët vendas hedhin shishe plastike të mbushura me ujë në drejtim të gjyqtarit kryesor. Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët vendas hyjnë në fushë duke shkaktuar dëmtime në infrastrukturën e fushës sintetike të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, dëmtime të mëdha në rrethojën e fushës sintetike, si dhe në rrethojën e perimetrit të Kampit Nacional. Po ashtu, konfrontohen edhe me policinë, gjë që ka çuar edhe në arrestimin e tre prej tyre”, shkruan në vendimin e FFK-së.
Ndërkohë, Drita është gjobitur me 1.000 euro për dëmtim të fushës në disa vende pas hedhjes së mjeteve piroteknike nga përkrahësit e klubit gjilanas.