Futboll

Shaqiri flet për varfërinë e përjetuar si fëmijë

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri u pasurua nëpërmjet futbollit. Ai luajti për klube të mëdha. Kapiteni aktual i Baselit luajti ndër të tjera për Bayernin, Interin e Liverpoolin. Por si i ri iu desh të punonte për të paguar anëtarësimin në Basel, siç tregoi në një format të ri nga “SRF Kids”.

Gjatë rinisë së tij, situata financiare në familjen Shaqiri nuk ishte e mirë. U rrit duke jetuar me gjithë familjen e tij në rrethana modeste në një fermë në Augst. Ata kishin vetëm një dhomë. Familja e Shaqirit praktikisht nuk mund të përballonte kurrë pushime të mira.

“Dhurata ime e parë për ditëlindje ishte fanella e Ronaldos me Brazilin. Nuk ishte origjinale, por isha shumë i lumtur”, i tha Shaqiri gazetares njëmbëdhjetëvjeçare, Linës, e cila e intervistoi për programin e ri “SRF Kids”. Episodi i parë i formatit “SRF Kids” shfaqi se çfarë do të thotë të jesh i varfër në Zvicër.

“Pagesa për anëtarësim në Basel ishte e papërballueshme për prindërit e mi. Prandaj, unë dhe vëllai im duhej të shkonim në punë që të mund t’i paguanim ato”, ka treguar Shaqiri.

Ylli i futbollit thotë se ajo situatë e rëndonte shumë.

“Më bëri të ndihesha i shqetësuar dhe disi i turpëruar”.

Megjithatë, ai theksoi se në të vërtetë nuk duhet të ndihesh i turpëruar nëse ke pak para. Kjo vlen për shumë njerëz në të gjithë botën.

Në moshën 17-vjeçare, Shaqiri nënshkroi kontratën e parë profesionale me Baselin. Xherdani ishte mirënjohës dhe i lumtur që mund t’u jepte diçka prindërve të tij.