Futboll

Shabanhaxhaj: Nga shtatori te njëra prej “dy kombëtareve tona”

Dardan Shabanhaxhaj

Ka ndeshje për Kosovën U17 dhe Austrinë U21. Megjithatë 24-vjeçari Dardan Shabanhaxhaj nuk ka luajtur ende për asnjë përfaqësuese të futbollit në nivelin e të rriturve. Kjo e lë të hapur mundësinë që ai të luajë për përfaqësuesen e vendit të prejardhjes, Kosovën, për përfaqësuesen e vendit ku është rritur, Austrisë, dhe për përfaqësuesen e Shqipërisë. 

Shabanhaxhaj luan sulmues i krahut, ndërsa është pjesë e Rubin Kazanit në elitën e Rusisë. Në një intervistë për KOHËN, Shabanhaxhaj ka thënë se do të luajë për Kosovën apo Shqipërinë. Apo, për Shqipërinë ose Kosovën. Ai pret të fillojë me ndeshje ndërkombëtare që nga vjeshta.

Shabanhaxhaj nuk ishte në listën e asnjërës prej tri përfaqësueseve për ndeshjet e këtij muaji.

“Kam pasur kontakte me të tri kombëtaret. Tek Austria jam në listën e zgjeruar. Për Kosovën dhe Shqipërinë më mungon pasaporta për momentin. Kam kontakte me të tri kombëtaret, por ëndrra është që të luajë me njërën nga kombëtaret tona. Por cilën, ende nuk e di”, ka thënë Shabanhaxhaj të dielën.

I pyetur se më afër cilës përfaqësuese është, Shabanhaxhaj është përgjigjur: “Njërës prej dy kombëtareve tona”.

Ndërkohë, në pyetjen se kur pret të fillojë me ndeshje ndërkombëtare, është përgjigjur: “Besoj që në shtator të këtij viti”.

Ai momentalisht e ka vetëm pasaportën e Austrisë. Deri në shtator pret të pajiset me pasaportë të Shqipërisë apo Kosovës dhe të luajë për njërën prej tyre. Fakti që luan në Rusi, rrit gjasat që të pajiset me pasaportë të Shqipërisë. Me pasaportë të Kosovës mund t’i paraqiten ndërlikime në shtetin rus. Ndërkohë Austria kryesisht nuk lejon shtetësi të dyfishtë. Por ka raste kur bëhen përjashtime.
Shabanhaxhaj ka treguar se ka pasur kontakte me selektorin e Kosovës, gjermanin Franco Foda. Foda është shumë i lidhur me Austrinë.

“Kam pasur kontakt, por asgjë nuk ka akoma definitive”, thotë futbollisti.

Shabanhaxhaj luan në Rubin Kazan nga fundi i janarit të vitit të kaluar. Si futbollist është zhvilluar në Austri, kryesisht te Sturm Grazi. Ka pasur periudhë edhe në Slloveni te Mura. 

Te Rubini është stabilizuar në përbërjen bazë dhe ka pasur paraqitje shumë të mira këtë vit. Në edicionin 2024/2025 i luajti 31 ndeshje gjithsej, ndërsa kontribuoi me shtatë gola e tri asistime. Pesë gola e tri asistime i ka në 23 paraqitje kampionale, ndërsa dy gola i  kishte në tetë paraqitje për Kupë. Klubet ruse nuk paraqiten në gara evropiane. UEFA ka suspenduar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Shabanhaxhaj është i kënaqur me paraqitjet, por beson se në edicionin e ardhshëm do të prezantohet edhe më mirë.

“Pa minutazh nuk mund të tregosh kualitetin që ke. Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kam arritur ta fitojë besimin e trajnerit dhe të tregojë veten”.

Te Rubin Kazani janë disa futbollistë shqiptarë. Shabanhaxhaj tregon se i kanë pranuar me respekt dhe se çdo gjë është në rregull për ta në kryeqendrën e republikës ruse të Tatarstanit. 

Por cili është niveli i futbollit në Rusi?

“Shumë i lartë, njëjtë si mënyra e trajnimit dhe përgatitjes së ndeshjeve. Jeta është normale dhe lufta në Ukrainë nuk ka ndonjë ndikimi në jetën e përditshme. I vetmi ndikim negativ që lufta ka pasur në futbollin rus është që ekipet ruse janë suspenduar nga garat evropiane”, thotë Shabanhaxhaj.

Ai planifikon të qëndrojë edhe një edicion te Rubin Kazani dhe të paraqitet edhe më mirë se që është paraqitur në edicionin tashmë të përfunduar. 

“Më pas, nëse do Zoti, shpresoj të kaloj në njërën nga top-pesë ligat e futbollit evropian”, thotë Dardan Shabanhaxhaj.

Te Rubin Kazani janë edhe Mirlind Daku, Marvin Çuni dhe lojtari me prejardhje nga Kosova, Veldin Hoxha. Rubini e përfundoi kampionatin në vendin e shtatë.