Futboll

Shabanhaxhaj i do Shqipërinë, Austrinë, Kosovën – në listën e dy të parave nuk është

Dardan Shabanhaxhaj

Sulmuesi Dardan Shabanhaxhaj shkëlqeu të shtunën në fitoren 4:2 të Rubin Kazanit ndaj Orenburgut, në xhiron e fundit të kampionatit të Rusisë në futboll. Shënoi dy gola dhe bëri një asistim, ndërsa këtë kontribut nuk e kishte bërë te Rubin Kazani asnjë lojtar në një ndeshje për kohë të gjatë. Shabanhaxhaj u shpall më i miri i ndeshjes.

Rrjedhimisht mediat në Rusi kanë shkruar goxha shumë së fundi për futbollistin 24-vjeçar. I lindur në Austri dhe me prejardhje nga Kosova, Shabanhaxhaj nuk ka luajtur ende për asnjë përfaqësuese seniore. Si opsione për Shabanhaxhajn përmenden Shqipëria, Austria dhe Kosova.

Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, të hënën e shpalli listën për ndeshjet e qershorit. Shabanhaxhaj nuk është pjesë e saj. Të hënën u shpall edhe lista e Austrisë, pa Shabanhaxhajn pjesë të saj. Madje emri i tij nuk është as në listën rezervë. Selektori i Kosovës, Franco Foda, nuk ka shpallur listën për ndeshjet miqësore të qershorit. Mbetet të shihet nëse Shabanhaxhaj do të jetë në të.

Ai ka dy ndeshje për Kosovën U16 e dy të tjera për Austrinë U21. Në nivelin e të rriturve nuk ka luajtur për asnjë përfaqësuese. Rrjedhimisht e ka të drejtën e përzgjedhjes. Natyrisht, nëse përfaqësueset janë të interesuara për të.

Është mediumi rus “business-gazeta” që ka bërë një shkrim të gjatë për të ardhmen e Shabanhaxhajt në nivel përfaqësuesesh. Futbollisti i krahut ka dhënë një deklaratë për këtë medium.

“Tani duhet të shohim kush është më i interesuar për mua. E dua Shqipërinë, Austrinë, Kosovën. Më duhet të mendoj shumë për hapin e radhës. Do të jetë shumë i rëndësishëm. Tani vetëm po pres për të parë se si do të zhvillohet situata tutje”, ka thënë Shabanhaxhaj.

Ai ka shtuar se është kontaktuar nga FSHF-ja dhe federata austriake. Por nuk është në listën e Shqipërisë e Austrisë për ndeshjet e qershorit.

“Jam kontaktuar nga Shqipëria dhe Austria. Jemi në bisedime. Natyrisht, ky është një hap i rëndësishëm në jetë”, ka shtuar Shabanhaxhaj.

Ai është rritur si lojtar në Austri. Luajti edhe te Mura në Slloveni. Prej janarit të vitit të kaluar është te Rubin Kazani, ndërsa këtë vit u bë lojtar i rregullt i skuadrës ruse. Te Rubin Kazani lojtari kryesor në sulm është Mirlind Daku. Ai është pjesë e Shqipërisë dhe u ftua për ndeshjet me Serbinë dhe Letoninë.

Mediumi rus ka bërë një analizë të gjatë për gjasat e Shabanhaxhajt që të luajë për secilën prej përfaqësueseve. Për të foli edhe trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov. Ai ka treguar se nuk ka diskutuar me Shabanhaxhajn për vendimin për përfaqësuese. Por Rakhimovi e sheh Shabanhaxhajn më afër Austrisë.

“Nga ajo që shoh unë, ai është më i prirë drejt ekipit austriak”, ka thënë trajneri me përvojë, që edhe vet ka të kaluar në Austri. “Ai u rrit atje dhe njihet shumë mirë. Po të kishte zgjedhur Shqipërinë, do të ishte ftuar tashmë”, ka shtuar Rakhimov.

Te Rubin Kazani është edhe Marvin Çuni, që e ka një paraqitje për Shqipërinë. Është edhe Veldin Hoxha, që ka pasaportë të Kroacisë por prejardhje nga Kosova.

Shabanhaxhaj këtë edicion ka realizuar pesë gola dhe ka bërë tri asistime në 23 paraqitje kampionale në Rusi.

Jo për të gjithë vendimi i futbollistëve shqiptarë për të bërë karrierë në Rusi është i arsyeshëm. Aktualisht futbolli rus është i izoluar për shkak të pushtimit që ky vend po ia bënë Ukrainës. Klubet ruse nuk paraqiten në gara evropiane. Por Daku në shumë raste, e ndërkohë edhe Shabanhaxhaj janë shprehur të kënaqur me futbollin në Rusi dhe jetën në këtë vend.

“Vërtet më pëlqen jeta në Rusi. Nuk do ta krahasoja me Evropë. Si Evropa ashtu edhe Rusia kanë standard të lartë jetese. Më pëlqejnë të dyja”, ka thënë Shabanhaxhaj për “Match TV”.