Futboll

Rilind Nivokazit i shpërblehet këmbëngulja

nivokazi

Me dy golat kundër St. Gallenit, Rilind Nivokazi më në fund u shpërblye për këmbënguljen e tij. I mbështetur vazhdimisht nga trajneri Didier Tholot, sulmuesi kosovar i Sion po dëshmon të jetë një nga transferimet më të mira të afatit kalimtar zviceran

“Në këto ditë, nëse nuk ke një portier dhe një sulmues të mirë, nuk do të arrish rezultate shumë të mira”, theksoi trajneri Didier Tholot pas fitores së skuadrës së tij Sion kundër St. Gallenit të martën me rezultat 3:2. Në fillim të këtij sezoni, trajneri i Sionit, sigurisht se mund të jetë i kënaqur me Anthony Racioppi në portë dhe Rilind Nivokazi në krye të sulmit.

Kundër St. Gallenit, të dy lojtarët shkëlqyen në pozitat e tyre përkatëse. Portieri nga Gjeneva bëri pritje vendimtare, veçanërisht kundër Aliou Balde në minutën e 23-të. Sa i përket sulmuesit kosovar, ai gjeti rrjetën dy herë, duke i dhënë fund serisë prej pesë ndeshjesh pa shënuar gol. Kjo kohë duhet të jetë dukur shumë e gjatë për numrin 33, i cili megjithatë nuk zhgënjeu në paraqitjen e tij.

Dy gola si shpërblim

Rilind Nivokazi thjesht po kalonte një nga ato faza ku fati i shpëton sulmuesit. Njësoj si në ndeshjen e tij kundër Grasshopperit në “Letzigrund”, ku shtylla e portës së Justin Hammel “mund të dridhet ende” pas gjuajtjes së tij. Kundër Thunit, ai krijoi rastet më të mira të ekipit të tij, duke humbur mundësinë e një goli me gjuajtje të shkëlqyer me volej.

Sulmuesi 25-vjeçar meriton respekt për faktin që nuk u dorëzua kurrë, punoi gjithmonë për ekipin dhe krijoi raste falë rolit të tij për pozicionin. Këto janë cilësi që nuk janë të garantuara. I pafat kundër Grasshopperit, ai megjithatë fitoi penalltinë që siguroi epërsinë 1:0 dhe kështu fitoren e Sionit, ashtu si kundër St. Galleni, përpara se të gjente më në fund rrjetën. Ai ndoqi mirë një lëvizje të Theo Berdayes për të përfituar nga rikthimi i topit, pastaj priti në mënyrë perfektë një harkim të vështirë nga Nias Hefti duke shënuar gol të jashtëzakonshëm me kokë.

Tholot: Ai e meriton

Mjaftueshëm për të çliruar gëzimin e tij. Dhe për ta ndarë atë me publikun dhe shokët e tij të skuadrës. Sapo topi kaloi vijën e portës për golin e tij të parë, numri 33 vrapoi drejt stolit të ekipit. Pasi i ra në sy Didier Tholot, ai bëri lëvizje drejt tij, e përqafoi dhe madje e ngriti në këmbë. Ishte një skenë e bukur, që reflektonte një lehtësim të jashtëzakonshëm. 

“Ai më tha më parë se është i lumtur sepse po më shpërblen besimin që kam treguar tek ai”, komentoi trajneri francez në konferencën për shtyp, me një buzëqeshje në fytyrë, duke i siguruar të gjithë se nuk e kishte menduar kurrë ta linte sulmuesin e tij pavarësisht mungesës së suksesit.

“Ai është lloji i lojtarit që nuk e heq nga loja, edhe nëse nuk shënon pavarësisht rasteve që ka”, shtoi Didier Tholot, i kënaqur që pa Rilind Nivokazi të shënonte dy gola, duke e çuar totalin e tij në pesë këtë sezon. 

“Ai e meriton”.

Sioni e di se edhe të shtunën kundër Thunit, mund të mbështetet te sulmuesi i saj, i cili po dëshmohet të jetë një nga transferimet më të mira të afatit kalimtar të verës në Zvicër.