Ylli i Real Madridit, portieri Thibaut Courtois, ka deklaruar se Real Madridi ende është duke luajtur me sistemin e trajnerit Carlo Ancelotti.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë pas barazimit 1:1 me Al Hilalin, në ndeshjen e parë të Botërorit të klubeve.
Trajneri Xabi Alonso u zyrtarizua vetëm pak javë më parë, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur shumë kohë për të punuar me klubin e ri.
Alonso ishte trajner i Bayer Leverkusenit dhe pati sukses duke e fituar titullin në Bundesligë pa asnjë humbje, si dhe Kupën e Gjermanisë.
Të mërkurën në mbrëmje, te Real Madridi debutuan mbrojtësit Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen.
“Kemi qenë me Carlon për katër vjet dhe e kemi krijuar një rutinë. Tani duhet të ndryshojmë dhe të luajmë ashtu si kërkon trajneri. Ende i kemi lëvizjet që i kemi bërë me Carlon. Nuk është diçka që mund të ndryshohet brenda katër ditësh. Kemi parë videot dhe kemi biseduar. Do të mësojmë nga ndeshja dhe do të përmirësohemi në të ardhmen”, ka deklaruar Courtois për “Cadena SER” të enjten.