Sulmuesi Ermir Rashica e ka ndihmuar skuadrën e Metalistit të dielën të kthehet në elitën e futbollit ukrainas pas një viti të kaluar në kategorinë e dytë.
21-vjeçari Rashica, i cili u zgjodh si talenti i vitit nga Federata Shqiptare e Futbollit në janar të këtij viti, asistoi në golin e minutës së 90-të të cilin e realizoi Vladyslav Kalitvintsev. Rashica luajti në tërë ndeshjen.
Me këtë rezultat, Metalist 1925 fitoi ndaj Livyi Beregut dhe e siguroi promovimin në elitën e futbollit ukrainas. Edhe ndeshja e parë ishte mbyllur 1:0 në të mirë të skuadrës së Rashicës.
Rashica u transferua te Metalisti nga Skënderbeu i Korçës në mesin e muajit shkurt.
Ai karrierën e ka nisur te Trepça ’89.
Në ndeshjen tjetër të plejautit, Vorskla Poltava humbi në penallti nga Kudrivka-Nyva 4:3 dhe bie nga elita ukrainase për herë të parë në histori.
Kohën e rregullt dhe vazhdimet, mysafirët i fituan me rezultatin 1:0, me golin e minutës së nëntë.
Ndeshjen e parë, Vorskla e kishte fituar 2:1.
Milot Avdyli është pjesë e Vorsklas prej janarit të këtij viti kur u transferua nga Aarau e kategorisë së dytë të futbollit zviceran.
Por, Avdyli të dielën nuk ishte fare në formacionin e skuadrës së njohur ukrainase.