Riorganizimi i klubit të futbollit Trepça ka nisur tashmë. Të martën u arrit marrëveshja me një afarist, që pritet të investojë qindra-mijëra euro, ndërsa të mërkurën është prezantuar drejtori i ri sportiv. Pozita e drejtorit i është besuar Rafet Prekazit, emrit të madh të futbollit kosovar.
Prekazi ka drejtuar me sukses Kosovën U21 e po ashtu shumë skuadra kosovare. Ka qenë edhe futbollist shumë i suksesshëm, ndërsa ishte edhe te Trepça.
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në folenë time. Besoj se kemi të bëjmë me një projekt shumë serioz. Në momentin e parë që më është prezantuar nuk kam hezituar dhe kam pranuar ftesën”, ka thënë Prekazi.
Trepça garon në Ligën e Parë, por synimi është kthimi i menjëhershëm në Superligë. Trepça është prej klubeve me traditën më të pasur në vend.