Kosovare Asllani, ylli i futbollit të Suedisë, donte me çdo kusht që të blinte një fanellë të Cristiano Ronaldos, idhullit të saj në futboll. Ajo ishte shumë e re në moshë, por futbollin e kishte pasion, e Ronaldon, futbollistin më të pëlqyer. Dhe dëshironte ta kishte fanellën e tij. Shumë kohë ka kaluar, ndërsa Asllani ende mendon se fanellat janë të shtrenjta. Çmimet e larta në Zvicër, ku javën tjetër nis Kampionati Evropian për futbolliste, vazhdojnë ta brengosin Asllanin, që mendon edhe për familjen e saj. “U kam thënë familjarëve të mi të mos vijnë në Zvicër – është shumë shtrenjtë”, ka thënë Asllani në një intervistë dhënë për “Radiosporten” të Suedisë të shtunën.
“Çmimet e fanellave të sportistëve mendoj se duhet të ulen në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund t’i blejnë”, thotë Kosovare Asllani.
“Nuk e di, e kam blerë fanellën e Ronaldos në Vimmerby, pasi çmimi ishte më i lirë dhe e di se e kam mbajtur veshur gjithë kohën”.
Kur e mendon të kaluarën, Asllani thotë se tani vlerëson çdo gjë. Madje edhe sakrificën që familja e saj e ka bërë për të. Dhe për këtë arsye, ajo u ka thënë familjarëve që të mos shkojnë në Zvicër për ta parë nga afër në Kampionatin Evropian.
“U kam thënë vetë atyre që të mos vijnë këtu sepse nuk kanë nevojë që të jenë atje për të më përkrahur. Unë e di se ata më përkrahin çdo herë. U kam thënë që nuk duhet të shpenzoni kaq shumë para vetëm për të më parë nga afër tek luaj. Ndihem mirë edhe kështu”, ka theksuar Asllani 35-vjeçare.
Për Asllanin dhe Suedinë, Kampionati Evropian në Zvicër nis më 4 korrik me ndeshjen ndaj Danimarkës. Ai ballafaqim i takon Grupit C dhe do të luhet në “Stade de Geneve”, në Gjenevë. Kapaciteti i stadiumit është 30 mijë e 84 ulëse.
Në Grupin C janë edhe Gjermania dhe Polonia.
Ky Evropian për Asllanin do të jetë i fundit, dhe ajo shpreson që të stoliset me medalje të artë.
Kosovare Asllani ka 198 paraqitje me Suedinë dhe ky do të jetë kampionati i 11-të madhor në të cilin ajo merr pjesë.
Aktualisht është pjesë e skuadrës London City Lionesses dhe e ka siguruar elitën e futbollit anglez për futbolliste. Kjo skuadër e mbylli kampionatin në vendin e parë me 43 pikë në 20 ndeshje, ndërsa Asllani pati pesë gola e tetë asistime.
Ajo ka luajtur edhe për ekipe të mëdha si Milan, Real Madrid, Manchester City e Paris Saint-Germain. Karrierë ka bërë edhe te Chicago Reds Stars, Linkopings, Kristianstads e Linkopings.
Për Suedinë ka shënuar 48 gola, ndërsa është dy herë medaliste e argjendtë Olimpike, dhe një herë medaliste e bronztë Botërore.