Futboll

Prezantohet Igli Tare, te Milani presin shumë nga ai

Igli Tare

Të hënën pasdite, klubi i famshëm italian, AC Milan, e ka prezantuar Igli Taren si drejtor sportiv. Klubi kuqezi ka njoftuar se Tare do t’i raportojë direkt shefit ekzekutiv, Giorgio Furlani.

“Jemi të lumtur ta presim Igli Taren në familjen rossonere. Ai është personi i duhur për të bërë rifillimin tonë. Ka kompetencë, vendosmëri dhe vlera të shumta, të kombinuara me një kuptim të thellë të futbollit italian dhe të vizionit ndërkombëtar. Këto e bëjnë Taren profil ideal për të mbështetur kapitullin e ardhshëm të klubit, përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, ka thënë Furlani.

Tare ka thënë se është shumë krenar që do të punojë te Milani.

“Të bëhesh pjesë e një klubi si AC Milan është burim krenarie dhe përgjegjësi e madhe. Falënderoj klubin që më besoj këtë rol. Klubi e njeh vendosmërinë time dhe dëshirën për sukses. Do ta vë gjithë përvojën time në shërbim të këtij klubi të madh, i cili është i vendosur të kthehet në ballë të futbollit italian dhe futbollit evropian”, ka thënë Tare.