Futboll

Portierit të talentuar i amputohet këmba për shkak të kancerit

Berkin Arslanogullar

Berkin Arslanogullar

Ai ishte afër që të realizonte ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist. Berkin Arslanogullari i kaloi kategoritë e reja te klubi i Bundesligës gjermane, Union Berlin. Në mars, portieri i talentuar e ka luajtur ndeshjen e parë me profesionistët. U paraqit në ndeshjen testuese ndaj Magdeburgut.

Pak javë më vonë, ai pranoi diagnozën shokuese: kancer në asht.

Përkundër kimioterapisë intensive, sëmundja nuk u mposht. Si masë për shpëtimin e jetës së 19-vjeçarit, këmba e tij e majtë është dashur të amputohet.

Arslanogullari dhe familja e tij tani po përballen me sfidë të madhe. Atyre u duhet një shtëpi e re, në të cilën nuk ka pengesa për të riun. Shtëpia dhe rehabilitimi i Berkinit kushtojnë shumë.

Union Berlini ka shkruar në një postim: “Berkini dhe familja e tij tani kanë nevojë për solidaritetin e familjes së Unionit”.

Klubi mori iniciativë.

“Për të lehtësuar sadopak barrën financiare dhe për t’i dhënë Berkinit shansin më të mirë të mundshëm për një të ardhme plot shpresë, është inicuar fushata për mbledhje të fondeve. Çdo kontribut është i vlefshëm dhe është ndihmë për t’i dhënë Berkinit një fillim të ri”, ka shkruar tutje klubi gjerman.

Djaloshi po lufton.

“Kam kaluar shumë pengesa në jetë. Dhe tani do të luftoj me këtë sëmundje, me të gjitha mjetet që i kam në dispozicion. I falënderoj të gjithë”.

Zëri për ndihmë është dëgjuar. Për pak orë, më shumë se 150 mijë euro janë grumbulluar. Synimi është dy milionë euro. Mbi 4000 njerëz kanë kontribuuar dhe gjithnjë e më shumë fonde po mblidhen.