Përzgjedhësi i Austrisë në futboll, Ralf Rangnick, ka folur për Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve, ku është edhe Kosova.
Përveç Austrisë e Kosovës, në grup janë edhe Izraeli dhe Irlanda.
Përzgjedhësi Rangnick, siç shkruan faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Austrisë, ka folur për selektorin gjerman të Kosovës, Franco Foda, pak para nisjes së shortit. Rangnick e ka vlerësuar lartë Kosovën për të arriturat e vitit të kaluar.
Ai ka theksuar se vëmendja për momentin është te Kupa e Botës, si çdo shtet tjetër i kualifikuar, apo me mundësi kualifikimi.
Me mundësi kualifikimi është edhe Kosova, që do të luajë në plejofin e Botërorit 2026 në muajin mars.
“Ajo që e shoh si pozitive në këtë grup është se nuk kemi luajtur ndaj ndonjërit prej tri kundërshtarëve gjatë periudhës time si përzgjedhës. Ndeshjet në udhëtim mendoj se do të jenë të menaxhueshme. Kosova ende ka mundësi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, që është arritje shumë e madhe. Do të jenë ndeshje interesante dhe emocionuese si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë”, ka deklaruar Rangnick pas shortit. Ai ka komentuar edhe kundërshtarët e tjerë të grupit.
Edicioni 2026/2027 i Ligës së Kombeve do të jetë i lidhur me kualifikimin në Evropianin 2028 në Britaninë e Madhe dhe Republikën e Irlandës. Në bazë të rezultateve në Ligën e Kombeve, disa përfaqësuese do të kenë mundësi shtesë për t’u kualifikuar në Evropianin e atij viti nëpërmjet plejofit.