Futboll

Pas humbjes turpëruese, selektori i Gjermanisë vë në dyshim përkushtimin e lojtarëve

Gjermania

Gjermania është mposhtur 2:0 nga Sllovakia në hapje të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në futboll. Humbja e pësuar të enjten mbrëma në Bratislavë është vlerësuar turpëruese për gjermanët.

Gjermania është favorite e madhe e Grupit A ku janë edhe Irlanda e Veriut e Luksemburgu. Por humbja në Sllovaki ka bërë që në Gjermani të reagojnë fuqishëm.

Në Gjermani presin që përfaqësuesja e tyre të luftojë për titull të kampionit të botës, ndërkohë që humbja në nismë të kualifikimeve është vlerësuar goditje shumë e rëndë.

Përzgjedhësi Julian Nagelsmann është shprehur shumë i dëshpëruar.

“Nuk dua ta dëgjoj fjalën ‘kualitet’ më. E tëra ka të bëjë me emocionet”, ka thënë Nagelsmann për “ARD”.

Ai ka vënë në pyetje përkushtimin e lojtarëve.

“Kemi përzgjedhur lojtarët më të mirë në Gjermani. Por ndoshta duhet të fokusohemi në lojtarë me më pak kualitet, por që japin çdo gjë nga vetja. Kjo do të bënte që rezultati të ishte ndryshe nga ai që e arritëm me lojtarët më të mirë. Kjo është e sigurt”, ka vazhduar Nagelsmann.

Ai ka thënë se qasja e lojtarëve nuk ishte e duhura.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë që duhet t’i qasemi ndeshjes sikur ajo të jetë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve. Në përgjithësi kam besim në lojtarët, për këtë edhe i ftoi ata. Por të gjithë duhet ta kuptojnë se nuk mjafton vetëm paraqitja në fushë. E shohim këtë rregullisht kur ekipet e vlerësuara më të vogla fitojnë ndaj atyre të vlerësuara të mëdha”.

Ai kërkon nga lojtarët që të jenë më emocional. Thotë se kualiteti nuk ka rëndësi. Nagelsmann ka theksuar se edhe në Kupën e Gjermanisë skuadra të kategorisë së tretë marrin rezultate të mira ndaj ekipeve të Bundesligës për shkak të përkushtimit e jo për shkak të kualitetit të lojtarëve.

Edhe drejtori sportiv i federatës gjermane, Rudi Voller, është shprehur i shokuar për humbjen nga Sllovakia.

“Nuk ishte vetëm dëshpërim, por ishte një paraqitje pa shenja jete”, ka thënë fituesi i Kupës së Botës 1990.

“Vazhdoi ajo që e kemi parë në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Portugalisë dhe Francës. Qartë se ato ishin kundërshtare më cilësore se Sllovakia. Në pjesën e dytë ishte pak më mirë, por vërtetë jo mirë sa duhet”, ka shtuar Voller.

Legjenda gjermane, Bastian Schweinstegier nuk ka kursyer lojtarët po ashtu.

“Më duhet të mendohem se kur për herë të fundit kam dëgjuar tifozët gjermanë duke fishkëllyer ndaj lojtarëve të tyre. Kjo e lëndon zemrën time shumë”, ka thënë Schweinsteiger.

Të dielën në Koln, Gjermania e pret Irlandën e Veriut.

“Nëse vazhdojmë kështu, as që do të kualifikohemi për Kupën e Botës”, ka thënë Joshua Kimmich, njëri prej lojtarëve kryesorë të Gjermanisë.

Irlanda e Veriut të enjten fitoi 3:1 ndaj Luksemburgut.