Mbrojtësi i Kosovës, Leart Paçarada, është bërë me trajner të ri te skuadra e Kolnit.
Kolni të premten ka njoftuar se e ka emëruar Lukas Kwasniokin trajner të skuadrës së parë.
Kwasniok me Kolnin ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2028. Ai së fundi e ka drejtuar skuadrën e Paderbornit.
Prezantimi i Kwasniokit te Kolni do të bëhet në fund të këtij muaji.
Drejtori sportiv i Kolnit, Thomas Kessler, thotë se është shumë i lumtur që ka arritur ta bind Kwasniokin që ta marr drejtimin e skuadrës.
“Jemi shumë të kënaqur që arritëm të sjellim Lukas Kwasniokin si trajnerin e ri të Kolnit. Gjatë disa viteve në Paderborn ai ka treguar në mënyrë mbresëlënëse se mund të zhvillojë një ekip, të luajë futboll tërheqës dhe të suksesshëm dhe të promovojë lojtarët e rinj në një nivel më të lartë. Jemi të bindur se kemi gjetur trajnerin e duhur për të vazhduar zhvillimin e Kolnit në Bundesligë dhe për të na stabilizuar në planin afatgjatë”, ka thënë Kessler.
Kolni në edicionin 2024/25 u shpall kampion në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Bundesligë.