Futboll

Kolni e njofton Paçaradën se nuk llogarit në të

Leart Paçarada

Sezonin e kaluar, Leart Paçarada luajti rol kyç te Koelni që e siguroi kthimin në Bundesligë. Ai luaji rregullisht nga minuta e parë. Tani ai është pranë largimit nga klubi. Lojtari i Kosovës dhe njerëzit që e rrethojnë janë të befasuar

(Kolnische Rundschau) – Kolni po ecën përpara me riorganizimin e skuadrës. Leart Paçarada, Imad Rondiq dhe Jacob Christensen nuk janë më pjesë e ekipit të Bundesligës.

“Skuadra ishte shumë e madhe dhe unë i zgjodha këta tre lojtarë”, shpjegoi trajneri Lukas Kwasniok vendimin e tij. Treshja, e cila u la jashtë ekipit për ndeshjen për Kupë të Gjermanisë kundër Jahn Regensburugut, tani duhet të stërviten individualisht. Sargis Adamyan dhe Florian Dietz u lanë jashtë ekipit ende pa nisur përgatitjet. Dyshja e ka ruajtur formën duke u stërvitur me ekipin U21, ndonëse Dietz u lirua për bisedime të premten. Sipas Rundschaut, 27-vjeçari do të kalojë në Bundesliga 3.

Duke e zvogëluar numrin e lojtarëve, Kwasniok dëshiron të “fokusohet te suksesi”.

Megjithatë, ai pranon se vendimet janë të hidhura dhe e kanë ndikimin e tyre. 

“Vendimi më i vështirë nga të gjitha vendimet”.

Por ai tha se ishte “e pashmangshme” në mënyrë që ta vazhdojë punën e tij për t’i realizuar synimet.

“Si ekip trajnerësh e patëm një bisedë shumë të shkurtër dhe joformale me të tre lojtarët. Ata më pas e pranuan këtë vendim dhe patën mundësi të zgjidhnin nëse donin të stërviteshin me ekipin U21 apo individualisht me trajnerët e ekipit. Ata e zgjodhën të dytën”.

Në veçanti, i rëndësishëm është largimi i Leart Paçaradës, i cili ishte titullar për kampionin e Kategorisë së Dytë sezonin e kaluar. 30-vjeçari si duket u zu në befasi nga vendimi.

Paçarada dhe njerëzit e afërt të tij po e kritikojnë vendimin e Kolnit. 
“Jemi të zhgënjyer me mënyrën se si klubi i trajtoi gjërat”, tha për “Rundschau”, menaxheri i Paçaradës.
Paçarada preferohej para Max Finkgrafe, i cili më pas iu bashkua Leipzigut në mars. 

Bëhet e ditur se Paçarada nuk ka një ofertë konkrete për t’iu bashkuar një klubi tjetër. Nuk ka mbetur shumë kohë deri në mbyllje të afatit kalimtar. Afati kalimtar në Gjermani mbyllet më 1 shtator.

“Në situatën aktuale, Learti do të qëndrojë në Koln”, sqaron menaxheri i tij .
Në rastin e Paçaradës, ky mund të jetë edhe vendim strategjik. Kwasniok ka kohë që e ka kërkuar publikisht përforcimin me Raphael Obermaier.

Kolni fitoi ndaj Mainzit 1:0 të dielën, në ndeshjen që i takoi xhiros së parë të Bundesligës gjermane. Paçarada nuk ishte fare i grumbulluar. Nuk pritet të jetë edhe në të ardhmen.