Futboll

Një vit larg Kupës së Botës

Kupa e Botës

Shtëpia botërore e futbollit, FIFA, i ka kushtuar të mërkurën një shkrim Kupës së Botës, që nis më 11 qershor të vitit të ardhshëm.

Edicioni i 23-të i Botërorit, turneut më prestigjioz në futboll që zhvillohet prej vitit 1930, do të luhet me 48 përfaqësuese për herë të parë.

Ndeshja hapëse do të luhet në “Azteca Stadium” në Mexico City më 11 qershor 2026, kurse finalja luhet më 19 korrik 2026 në “MetLife Stadium”, që në Botëror do të njihet si “New York New Jersey Stadium”, shkruan “Associated Press” të mërkurën.

Botërorin deri tani e kanë siguruar disa përfaqësuese.

Kupa e Botës organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç këtyre tri shteteve, si dhe kampiones në fuqi, Argjentinës, Botërorin e kanë siguruar edhe Japonia, Irani, Jordania, Uzbekistani, Koreja e Jugut, Australia, Zelanda e Re, Brazili dhe Ekuadori.

16 ekipe do të kualifikohen nga Evropa, më shumë se nga çdo kontinent tjetër.

Afrika do t’i ketë nëntë përfaqësuese, ndërsa Azia tetë. Të dy kontinentet do të kenë përfaqësuese edhe në plejof.

Amerika e Jugut do të ketë gjashtë përfaqësuese që kualifikohen direkt dhe një vend tjetër është i rezervuar për plejof.

Gjashtë përfaqësuese që kualifikohen direkt dhe dy vende për plejof do t’i kenë edhe Amerika Jugore dhe Qendrore dhe Karaibet. Oqeania e ka vetëm një përfaqësuese që siguron direkt Botërorin, si dhe një vend tjetër që mund të sigurohet nëpërmjet plejofit.

Ndeshjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizohen në Arlington, Texas, Atlanta, East Rutherford, New Yersey, Foxborough, Massachusetts, Houston, Inglewood, California, Kansas City, Missouri, Miami Gardens, Florida, Philadelphia, Seattle dhe San Jose në California.

Qytetet kanadeze nikoqire të Botërorit janë Toronto dhe Vancouveri.

Në Meksikë, ndeshjet do të luhen në Guadalajara, Monterrey dhe Mexico City.

Turneu do të jetë me formatin e njëjtë si në vitet e kaluara, por me më shumë përfaqësuese.

12 grupe do të jenë me nga katër përfaqësuese. Secila do të luajë me secilën dhe dy të parat avancojnë në fazën nokaut.

Kupën e Botës 2022 të organizuar në Katar e fitoi Argjentina, pasi e mposhti në finale Francën pas ekzekutimit të penalltive.

Brazili e mban rekordin me pesë turne të fituar, në vitet 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002.

Gjermania dhe Italia kanë nga katër tituj të Botës. Argjentina i ka tri.