Pritja ka mbaruar. Gati tetë vjet prej kur SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika u caktuan organizatore të Botërorit 2026 në futboll, shfaqja globale e shumë rekordeve fillon të enjten mbrëma.
Ndërsa emocionet arrijnë kulmin në të gjithë globin, Meksika e gjen veten në qendër të vëmendjes. “El Tri” do të mbajë shpresat e një vendi të tërë kur të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse, të enjten nga ora 21:00.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDy përfaqësueset u përballën në të njëjtën fazë edhe në Botërorin 2010. Ndeshja e parë gjithnjë vlerësohet e rëndësishme dhe me ngarkesë shtesë.
Vëmendja më pas do të zhvendoset në Guadalajara, ku Azia dhe Evropa përfaqësohen, ndërsa Koreja e Jugut dhe Çekia e luajnë ndeshjen tjetër të Grupit A.
Do të jenë vetëm dy ndeshjet e para të Botërorit të parë me 48 përfaqësuese dhe me plot 104 ndeshje. Në Botërorin e kaluar ishin 64 ndeshje e 32 përfaqësuese. Ky po ashtu është Botërori i parë që organizohet në tri shtete të ndryshme.
Ka pasur zhvillime të shumta në prag të Botërorit, pozitive e negative. Por prej të enjtes mbrëma shpresohet se fokusi kryesor do të jetë te futbolli dhe në shfaqjen e përfaqësueseve në fushën e lojës.
Ka pasur zhvillime rreth Iranit dhe pjesëmarrjes së saj, ndërsa bujë bëri edhe refuzimi i hyrjes për gjyqtarin nga Somalia. Temperaturat e larta janë brenga kryesore e trajnerëve e lojtarëve, ndërsa çmimi i lartë i biletave është çështje tjetër shumë e diskutuar.
Shumë rekorde pritet të vendosen në Botërorin që zhvillohet deri më 19 korrik. Asnjëherë Botërori nuk ka zgjatur kaq shumë. Në fazën grupore mund të ketë ndeshje që nuk do të shikohen shumë. Por situata do të ndryshojë prej fazës së dytë, ndonëse edhe faza grupore ofron top-ndeshje.
Superyje si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, Vinicius Junior e shumë e shumë të tjerë kërkojnë shkëlqimin në skenën më të madhe.
Përfaqësueset tradicionale – Argjentina, Brazili, Spanja, Franca, Anglia – vlerësohen pretendente për trofeun më të çmuar në futboll. Nuk përjashtohet edhe mundësia e befasive.
Zhvillime politike dhe të sigurisë priten edhe në ditët e ardhshme. Por skena më e madhe tani është për futbollin dhe futbollistët.