Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Drama nuk pritet të mungojë në ndeshjen hapëse të Botërorit

meksika

Me ndeshjen Meksika – Afrika e Jugut fillon Botërori më i madh i futbollit deri më tani. Kjo ndeshje i takon Grupit A, ndërsa zhvillohet në Mexico City, të enjten (sot) nga ora 21:00, sipas kohës në Kosovë.

Meksika është njëra prej tri nikoqireve të Botërorit dhe llogaritet favorite. Por futbolli i bukur nuk pritet të mungojë. Edhe Afrika e Jugut e synon të paktën kalimin e grupit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Është kjo përsëritje e ndeshjes hapëse të Botërorit 2010, të zhvilluar në Afrikën e Jugut. Atëbotë ndeshja kishte përfunduar 1:1.

Plot 80 mijë shikues priten në stadiumin e famshëm “Azteca”, në spektaklin e ndeshjes hapëse.

Ky është Botërori i parë me 48 përfaqësuese. Deri më tani ishin 32. Kupa e Botës në SHBA, Kanada e Meksikë do të ketë plot 104 ndeshje, 40 më shumë se në “Katari 2022”. Po ashtu për herë të parë ngjarja globale zhvillohet në tri vende të ndryshme.

Ceremonia hapëse fillon 90 minuta para ndeshjes së parë. Shakira do të performojë, ndërsa J Balvin dhe Tyla janë në mesin e artistëve të tjerë.

Dhe pas ceremonisë hapëse koha do të jetë për futboll. Meksika është e dhënë pas futbollit, ndërsa do të paraqitet për herë të 17-të në Botëror.

Ndeshja në shtëpi dhe pozita në renditjen e FIFA-s e bëjnë Meksikën favorite. Por meksikanët e kanë edhe presionin për të filluar me fitore. Meksika është e pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit.

Afrika e Jugut është e 60-ta në renditje, shumë larg vendit të 14-të të Meksikës. “Bafana Bafana” e kërkon befasinë në ndeshjen hapëse. Afrika e Jugut është kthyer pas 16 vjetësh në skenën e madhe, ndërsa paraqitet për herë të katërt gjithsej.

“Për ne do të jetë një përvojë fantastike”, ka thënë selektori i Afrikës së Jugut, Hugo Broos. 
“Është shumë e rëndësishme që t’i përmbahemi planit të lojës dhe të mos dëgjojmë se çka po ndodh në tribuna”.

Përgatitjet e Afrikës së Jugut janë penguar nga telashet me viza. Kjo shtyu udhëtimin e një pjese të stafit. Në Grupin A janë edhe Çekia dhe Koreja e Jugut. Dy të parët në 12 grupet, së bashku me tetë përfaqësueset më të mira të vendit të tretë avancojnë në 1/16 e finales.

Kjo do të jetë vetëm ndeshja e pestë mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Meksika i ka dy fitore, Afrika e Jugut një.

Ndeshja e fundit mes tyre ishte ajo e Botërorit 2010.