Futboll

Nga Bayerni te Gorica – rënia e madhe e Shabanit

Meritan Shabani

Dikur llogaritej shpresë e madhe e Bayernit. Tani do të luajë në ekipin pak të njohur kroat, Gorica.

Karriera e Meritan Shabanit ka prekur pikë të re të ulët. Shabani luan si mesfushor ofensiv dhe është zhvilluar te gjiganti gjerman, Bayern, ku ishte prej vitit 2016 e deri në vitin 2019. 25-vjeçari, të dielën firmosi me HNK Gorica, skuadrën që aktualisht është në pjesën e poshtme të tabelës në kampionatin kroat. Gorica ka njoftuar që Shabani në stërvitje është bashkuar 10 ditë më parë. Pra, ka siguruar kontratën përmes provave. Firmosi për dy vjet.

“I gëzohem sfidës së re këtu në Kroaci. Prej se kam ardhur, kam komunikim të shkëlqyer me shtabin teknik dhe gjithë ekipin dhe shpresoj që me kualitetin tim, do ta ndihmoj Goricën dhe bashkëlojtarët e mi të rinj”, ka thënë Shabani për sajtin zyrtar të Goricës.

Pasi u zhvillua në Akademinë e Bayernit, Shabani në edicionin 2017/18 iu bashkua ekipit të parë të klubit bavarez. Në Bundesligë debutoi më 28 prill të vitit 2018, në fitoren 4:1 të Bayernit ndaj Eintracht Frankfurtit. Madje ishte startues. Në maj të atij viti e firmosi kontratën e parë profesionale me Bayernin, të vlefshme deri më 30 qershor 2020.

Në gusht të vitit 2019, ai u transferua te klubi i Premier Leagues, Wolverhampton. Firmosi për tri vjet. Nuk e përcolli fati, pasi u lëndua në ndeshjen debutuese dhe mungoi gjithë edicionin.

Më 1 shkurt të vitit 2021 u huazua te skuadra holandeze Venlo, ku po ashtu luajti pak. Në verën e vitit 2022, Shabani firmosi për dy vjet me Grasshopperin e Superligës zvicerane. Në tetor të vitit të kaluar pësoi tjetër lëndim serioz dhe mbeti jashtë deri në verën e këtij viti. Grasshopperi nuk ia vazhdoi kontratën dhe Shabani te skuadra kroate kaloi si lojtar i lirë.

Për ekipin e parë të Bayernit, Shabani i ka tri paraqitje, prej tyre, dy në Bundesligë. Te Wolverhamptoni ka luajtur vetëm një ndeshje në ekipin e parë, për Kupë. Te Venlo në Holandë i kishte shtatë ndeshje e një gol, ndërsa për Grasshopperin në 34 ndeshje ka realizuar tre gola e një asistim. 31 prej ndeshjeve i kishte në Superligën e Zvicrës. Shabani ka dy ndeshje me Gjermaninë U20.

Tani Shabani ka rast të ri për ta kthyer karrierën në rrugën e duhur. Është dukshëm nivel më i ulët se ai që ka Bayerni.

Gorica është e shtata në kampionatin kroat, prej dhjetë skuadrave sa janë gjithsej. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe Adrion Pajaziti e Medin Gashi.

Te Bayerni janë rritur edhe futbollistë të tjerë shqiptarë, por asnjëri prej tyre nuk ka prekur nivele të larta.