Futboll

Në konferencën e veçantë selektori i Zvicrës flet sërish për Shaqirin

Murat Yakin

Murat Yakin

Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll të hënën ka udhëtuar për në SHBA, ku do t’i luajë dy ndeshje miqësore. Gjatë udhëtimit të gjatë, në lartësi prej rreth 10 mijë metra, selektori Murat Yakin i ka ftuar gazetarët që ishin në avion për një konferencë të shkurtër.

Pyetja e parë që iu bë ishte nëse Xherdan Shaqiri e ka thirrur pasi Yakini i la mesazh para se të publikonte ekipin e fundit.

“Jo, nuk kemi kontakt”, është përgjigjur selektori zviceran, shkruan “Blick”.

Shaqiri i ka dhënë fund karrierës te Zvicra pas Evropianit të vitit të kaluar. Por Yakin së fundi tha se dyert e përfaqësueses mbesin hapur për të. Por Shaqiri e ka refuzuar kthimin.

“Ai e dëgjoi mesazhin zanor dhe sigurisht ishte i përqendruar në fazën finale me Baselin. Mora reagimin e tij nëpërmjet konferencës për shtyp dhe kjo është e mjaftueshme”, ka vazhduar Murat Yakin.

Selektori i Zvicrës ka përsëritur se dyert mbesin hapur për Shaqirin.

“Ai qartë tha se nuk është në dispozicion për momentin. E kuptoj këtë dhe e pranoj po ashtu. Nuk e marr personale. Ai ka hequr dorë dhe kemi lojtarë mjaftueshëm që janë të gatshëm të luajnë për përfaqësuese në çdo kohë. Por dyert mbesin hapur”.

Të shtunën Zvicra luan miqësore me Meksikën në Salt Lake City të SHBA-së. Më 10 qershor luan miqësore me SHBA-në në Nashville. Botërori i vitit të ardhshëm zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Dhe për Zvicrën ky udhëtim është një parapërgatitje e duhur për Botëror.

Në grup kualifikues, Zvicra është me Kosovën, Slloveninë dhe Suedinë. Ndeshja e parë është ndaj Kosovës, më 5 shtator në Basel. Te Zvicra presin të kualifikohen në Botëror.

“Të gjithë lojtarët janë këtu, pos Ruben Vargasit që është i lënduar. Nuk më është dashur ta bindë asnjë që të marrë pjesë në këto miqësore. Dhe disponimi duket shumë pozitiv. Do të jetë udhëtim shumë i mirë”, është pozitiv Murat Yakin.

Granit Xhaka dhe Ardon Jashari janë te Zvicra prej futbollistëve shqiptarë.

“Fakti se Botërori organizohet në këto vende ka ndikuar që të bëjmë këtë udhëtim. Jo domosdoshmërisht për të njohur nikoqirët, por që t’u japim lojtarëve dhe stafit një shije se çka na pret dhe çka mund të arrijmë”, ka thënë Yakin.

Shaqiri ka udhëhequr Baselin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës. Te Zvicra aktualisht mungon një lojtar me kreativitetin e Shaqirit, kur bëhet fjalë për momente të caktuara të lojës në sulm.