Futboll

Në çerekfinale ishte heroinë e Gjermanisë, tani merr përgjegjësinë për eliminimin nga Spanja

Ann-Katrin Berger

Portierja gjermane, Ann-Katrin Berger ishte prej figurave kryesore të Kampionatit Evropian për futbolliste që po mbahet në Zvicër.

Ajo u dallua me pritja shumë të mira dhe u bë heroinë në Gjermani.

Por Berger ishte figurë tragjike në gjysmëfinalen e së mërkurës mbrëma ndaj Spanjës. Ylli i futbollit, Aitana Bonmati e zuri Ann-Katrin Bergerin në pozitë të keqe dhe shënoi në këndin e saj të afërm thuajse nga vija fundore.

Bonmati e shënoi golin që dërgoi Spanjën në finale, në minutën e 113-të të ndeshjes në Zurich. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 0:0.

“E pranoj fajin për atë. Këndi i afërt është dashur të mbyllet dhe për këtë arsye jam edhe më e dëshpëruar për veten”, ka thënë Berger për ARD pas ndeshjes.

“Pavarësisht se sa pritje i bëj, ajo goditje është dashur të jetë e imja. Për këtë arsye më vjen shumë keq. Jo për vete, por për ekipin. Pasi lojtaret dhanë çdo gjë”, ka theksuar 34-vjeçarja.

Ajo megjithatë mori përkrahje nga bashkëlojtaret.

“Ajo nuk ka asnjë arsye që të ndihet keq. Ajo që arriti në këtë turne është e jashtëzakonshme”, ka thënë mbrojtësja Rebecca Knaak.

“Ajo na mbajti në Evropian dhe është person i jashtëzakonshëm. Ne do ta ngushëllojmë të gjitha së bashku tani”.

Por goditja e Bonmatit nuk ishte e rastësishme. Te Spanja e kanë analizuar qëndrimin e portieres gjermane para ndeshjes.

“E kemi studiuar Bergerin dhe ndonjëherë shtylla e parë mbetej e pambuluar”, ka thënë Bonmati.

Lojtarja e Barcelonës ka thënë se ndoshta Bergeri ka pritur krosim dhe kjo e zuri të papërgatitur.

Berger u bë prej figurave më inspiruese të Evropianit. Ajo dy herë ka luftuar me kancer, por ka vazhduar karrierën në futboll.