Një shfaqje impresive e dëshirës për sukses ishte ndeshja e Gjermanisë ndaj Francës në çerekfinale të Kampionatit Evropian për futbolliste. Përfaqësuesja gjermane luajti mbi 100 minuta me një lojtare më pak për shkak të përjashtimit të hershëm me karton të kuq të mbrojtëses Kathrin Hendrich.
Në kohën e rregullt ndeshja e së shtunës përfundoi 1:1, ndërsa shifrat nuk ndryshuan as pas vazhdimeve. Dhe çerekfinalja e fundit u vendos në penallti.
Portierja Ann-Katrin Berger ishte heroinë e Gjermanisë në penallti dhe u shpall më e mira e ndeshjes. Ajo priti dy penallti dhe po ashtu realizojë penalltinë e saj.
“E jashtëzakonshme, e pabesueshme, klas botëror. Ajo dëshmoi sërish se sa e jashtëzakonshme është. Çfarë personaliteti”, ka thënë bashkëlojtarja Klara Buhl.
Sulmuesja e Bayernit ka vazhduar: “Natyrisht, ajo ka pasur përvojë të jashtëzakonshme jetësore me atë që ka kaluar”.
Buhl e ka pasur fjalën për vitet e vështira, kur portierja e Gjermanisë ishte shumë e sëmurë. Portierja e skuadrës Gotham, ka vuajtur nga kanceri në tiroide në dy periudha. Por luftoi dhe u kthye, ndërsa tani është heroinë e Kampionatit Evropian, shkruan gazeta zvicerane “20 Minuten”.
Selektori i Gjermanisë, Christian Wuck, ka shumë respekt për 34-vjeçaren.
“Besoj se rruga e saj jetësore mundëson që ajo të përballojë situatat e tensionuara me shumë qetësi. Dhe kjo qetësi dhe ky besim që ajo shfaq janë shumë të rëndësishme për strukturën e ekipit”, ka thënë Wuck.
Përkundër paraqitjes heroike, Berger ruajti modestinë.
“Jam jashtëzakonisht krenare me ekipin. Kam bërë vetëm pjesën time, gjithnjë e them këtë. Por ekipi e bëri gjithë punën”, ka thënë Berger.
Ajo kishte një shishe të veçantë të ujit në portë.
Në shishe ishin të paraqitura mënyrat se si i gjuajnë penalltitë lojtaret kryesore të Francës. Për shembull Alice Sombath dërgon kryesisht topin në krahun e djathtë. Ajo gjuajti pikërisht aty dhe Berger ndali gjuajtjen për fitoren 6:5 të Gjermanisë në penallti.
Berger megjithatë ka theksuar se nuk ëhtë bazuar shumë në të dhënat që i kishte në shishe.
“Në fakt unë vendosi në mënyrë intuitive dhe e shikoj lojtaren. Herë pas here jam hedhur shumë herët, por në fund funksionoi”, ka theksuar Berger.
Ajo u diagnostikua për herë të parë me kancer në nëntor të vitit 2017. Derisa po përballej me kancerin, shprehu dëshirë që të luante. U kthye në shkurt të vitit 2018. Në gusht të vitit 2022, Bergeri njoftoi se sërish po vuante nga kanceri në tiroide. U kthye në fushën e blertë vetëm një muaj më pas.
Në gjysmëfinale të Evropianit në Zvicër janë kualifikuar Anglia, Italia, Spanja e Gjermania.
Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Italisë zhvillohet më 22 korrik në Gjenevë, ndërsa gjysmëfinalja Gjermani – Spanjë është më 23 korrik në Zurich.
Finalja zhvillohet më 27 korrik në Basel. Evropiani i futbollisteve po përcillet me interesim shumë të madh.