Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Havertz, sulmuesi i momenteve të mëdha

kai Havertz

Foto: Associated Press

Në moshën 26-vjeçare, Kai Havertz ka më shumë eksperiencë se shumë lojtarë të tjerë. Ish-futbollisti i Leverkusenit ka histori të ndeshjeve që janë fituar me golat e tij. Ndoshta më i famshmi është goli për Chelsean në Ligën e Kampionëve ndaj Manchester Cityt në vitin 2021. Ishte goli që ia mohoi Pep Guardiolas lavdinë dhe ia dhuroi atë Thomas Tuchelit. Për Havertzin, nuk ishte i vetmi. Një vit më vonë, ai shënoi gol nga penalltia në vazhdime për ta fituar Kupën e Botës për Klube me Chelsean. Këtë edicion, Havertzi realizoi në kohën shtesë gol të fitores për Arsenalin në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, ndaj ish-skuadrës. 

Goli i kohës shtesë që ishte i fitores ndaj Sportingut në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ishte vendimtar për Arsenalin në rrugën drejt finales. Dhe kundër Burnleyt, edhe pse me fat që e shmangu një karton të kuq për ndërhyrje të ashpër, goli i tij e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të Premier Leagues që u konfirmua pak kohë më vonë, pas barazimit të Manchester Cityt. Thënë shkurt, presioni nuk është problem për sulmuesin gjerman. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo bëhet edhe më mbresëlënëse nëse merret për bazë koha që ai ka munguar shkaku i lëndimeve. Në ditën e parë të sezonit, Havertz mori lëndim në gju dhe mungoi thuajse në tërë pjesën e parë të sezonit. Jo shumë kohë pas rikthimit, ai u lëndua edhe në muskul. Shumë lojtarë do të kishin vështirësi të ktheheshin në formë pas mungesave të gjata, por Havertzi nuk është ai tip i lojtarëve. Gjermani është kthyer në formacionin titullar që nga muaji mars dhe shpejt u tregoi tifozëve pse është njeri i momenteve të mëdha.

“Kjo më mban gjallë çdo ditë”, kishte thënë Havertzi për “Viaplay” pasi e fitoi Premier Leaguen. “Duhet të jem i sinqertë, disa ditë kam qenë në momente të vështira, por jam zgjuar në mëngjes dhe jam munduar të punoj fort për t’u kthyer sa më shpejt që është e mundur. Tani, të jem këtu duke festuar fitoren, është e pabesueshme dhe tregon se çdo gjë është e mundur. Duhet të punosh fort për t’i kthyer situatat në të mirë”.

Julian Nagelsmann është duke e ndjekur me sy të mprehtë, me shpresën se ai do ta ketë prekjen magjike edhe në Kupën e Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë këtë verë. 

Havertzi i ka 21 gola për Gjermaninë, por ka qenë më pak vendimtar me ngjyrat shtetërore në krahasim me klubet e tij.

Pavarësisht kësaj, ai do të jetë lojtari që do ta udhëheqë Gjermaninë në sulm në Kupën e Botës dhe ka dëshmuar se sa rehat ndihet me këtë rol. 

Goli i tij kundër Danimarkës në “Euro 2024” e hapi rrugën te Gjermania dhe kundër Ganës në mars të këtij viti, ai tregoi se është lojtar i nivelit të lartë. Forma e tij është në rrugën e duhur dhe një tjetër gol në finale të Ligës së Kampionëve nuk do të ishte vetëm sukses për Havertzin, por do ta linte Nagelsmannin dhe Gjermaninë me shpresën se të tjera gola do t’i shënojë në verë. 

Futbollisti, karriera e të cilit nisi te Leverkuseni kur si 17-vjeçar kryente provime dhe luante në Bundesligë, ishte në udhëkryq kur iu bashkua Arsenalit në vitin 2023. Tre vjet më vonë, Havertzi është në vendin dhe kohën e duhur. Nëse ai do të shënojë në finalen e Championsit në Budapest të shtunën, do t’i bashkohej një liste të rrallë të lojtarëve që kanë shënuar në më shumë se një finale. Më shumë se kaq, ai do të bëhej prej lojtarëve më të suksesshëm gjermanë i të gjitha kohëve. Arritja e kulmit pak javë para Kupës së Botës, është ajo që e shpreson edhe Nagelsmanni. Presioni ka nisur. Për Havertzin do të thotë se është një vetëm një ditë tjetër në punë.