Real Madrid – Juventus vlerësohet ndeshja kryesore e së mërkurës në Ligën e Kampionëve. Kjo ndeshje zhvillohet në “Santiago Bernabeu” nga ora 21:00. I takon xhiros së tretë të fazës së ligës në Champions.
Skuadra e Xabi Alonsos, Real Madridi, synon të vazhdojë me fitore. Në xhiron e parë fitoi 2:1 ndaj Marseilles, ndërsa në të dytën e mposhti 5:0 Kairatin.
Juve në xhiron e parë të Championsit arriti barazim dramatik, 4:4 me Borussia Dortmundin, duke bërë kthim të madh në minutat e fundit. Në xhiron e dytë barazoi 2:2 me Villarrealin.
Madrilenët janë në moment të mirë edhe në La Liga. Në fundjavë fituan 1:0 ndaj Getafes. E mbajnë vendin e parë me 24 pikë, dy më shumë se Barcelona.
Ndryshe është gjendja te Juventusi. Skuadra e Igor Tudorit në fundjavë pësoi 2:0 nga Como. Juve nuk ka fituar që nga 13 shtatori. Kishte pesë barazime para se të mposhtej së fundi. Kjo seri pa fitore ka bërë që të rritet presioni në Tudorin.
“Pres reagim të madh nga ekipi im. Motivi vjen vetëm me ardhje këtu, në Bernabeu. Kam besim se do të luajmë ndeshje të mirë. Secili ekip ka pika të forta dhe dobësi. Madridi është ekip që mund të shënojë gol në çdo moment. Dua të shoh paraqitje të mirë dhe një ekip që është në gjendje të godasë madrilenët, në kuptimin sportiv”, ka thënë kroati Igor Tudor.
Alonso është i vetëdijshëm për krizën e skuadrës nga Torino, por megjithatë pret ndeshje të vështirë.
“Para disa javësh Juve ishte në formë të mirë. Por, pavarësisht rezultateve të fundit që ka kjo skuadër, ne jemi gati për një ndeshje të vështirë. Ndonëse po kalon moment të vështirë, Juventusi është prapë ekip i rrezikshëm. Kenan Yildiz është në formë të shkëlqyer”, ka thënë Alonso.
Të mërkurën mbrëma janë edhe disa ndeshje të tjera interesante në Champions. Nga ora 18:45 janë takimet Athletic Bilbao – Qarabag dhe Galatasaray – Bodo/Glimt.
Prej orës 21:00, pos derbit në Madrid, janë edhe ndeshjet: Atalanta – Slavia Pragë, Bayern – Brugge, Chelsea – Ajax, Eintracht Frankfurt – Liverpool, Monaco – Tottenham dhe Sporting – Marseille.