Këtë fundjavë fillon edicioni 2025/26 në Serie A. Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të shtunën e fillon mbrojtjen e titullit. Nga ora 18:30 do të jetë mysafir i Sassuolos.
Sassuolo edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit në Serie B dhe si kampion u kthye në elitën italiane të futbollit. Së fundi te Sassuolo u transferua portieri i Kosovës, Arijanet Muriq. 26-vjeçari, Muriq, te Sassuolo u huazua për një vit nga Ipswich Towni. Napoli konsiderohet favorit ndaj Sassuolos.
Ndeshja e fundit që u zhvillua ndërmjet Sassuolos dhe Napolit është në muajin shkurt të vitit të kaluar.
Napoli është i pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit ndaj Sassuolos. Ka pesë fitore dhe dy barazime. Në total, të dyja skuadrat janë përballur në 23 ndeshje.
Napoli prin me 14 fitore, Sassuolo ka dy, dhe shtatë herë ndeshja ka përfunduar baras.
Te napolitanët paraqitet kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Rrahmani është lider i mbrojtjes te klubi që për trajner e ka Antonio Conten.
Mungesa më e rëndësishme për Napolin në ndeshjen hapëse të edicionit të ri është sulmuesi i Belgjikës, Romelu Lukaku. Ai do të mungojë për disa javë pas lëndimit muskulor.
Të shtunën, nga ora 20:45, luajnë edhe Milani me Cremonesen dhe Roma me Bolognan.
Të dielën, nga ora 18:30, takohet Como me Lazion, nga ora 20:45 ballafaqohen Atalanta – Pisa dhe Juventus – Parma.
Xhiroja e parë përfundon me ndeshjen që zhvillohet të hënën nga ora 20:45 ndërmjet Interit dhe Torinos.