Florent Muslija është shprehur i kënaqur me paraqitjen e Kosovës ndaj Sllovenisë (0:0), ndonëse ka theksuar se mungesa e golit bëri diferencën. Ai ka thënë se skuadra luajti mirë dhe tregoi karakter në fushë.
“Kemi bërë lojë të mirë, i gjithë ekipi. E kemi treguar veten dhe e kemi dhënë maksimumin. Edhe unë kam dashur t’i ndihmoj ekipit me kualitetin që kam. Na ka munguar goli, por shpresoj që të hënën do të fitojmë në Suedi”, deklaroi Muslija.
Ai shtoi se që në fillim e ka kuptuar se kundërshtarët nuk ishin aq të shpejtë dhe se në duelet një kundër një ka pasur epërsi.
“E kam ditur që një kundër një nuk mund të më ndalin. I kam kaluar kundërshtarët dhe janë detyruar të më rrëzojnë”, ka thënë ai.
Muslija theksoi se ekipi po përparon nga ndeshja në ndeshje dhe se gabimet janë pjesë e lojës.
“Edhe ne jemi njerëz, bëjmë gabime. Por në ndeshjet e fundit kemi treguar një tjetër fytyrë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, përfundoi ai.
