Trajneri Jose Mourinho ka thënë se do të dëshironte që të kthehej në Itali për ta festuar një titull me Romën, por ka theksuar se vetëm Milani, Interi dhe Napoli do të luftojnë për “Scudetto”.
Mourinho më parë ka drejtuar Romën e Interin në Itali, ndërsa tani është trajner i Benficas në Portugali.
“Është e vështirë të parashikohet. Interi ka ekip me potencial shumë të madh, njësoj si Napoli. Milani luan një herë në javë. Kanë trajner fantastik si Max Allegri, i cili ka përparsi ndaj Antonio Contes dhe Cristian Chivus, pasi dy të fundit kanë më shumë ndeshje për t’i përgatitur. Mendoj se titulli do të vendoset mes këtyre tri skuadrave”, ka deklaruar Mourinho pas fitores 2:0 ndaj Napolit të Amir Rrahmanit në Ligën e Kampionëve.
Mourinho shkroi historinë me Interin duke e fituar tripletën në vitin 2010. Në atë vit në skuadrën e tij ishte edhe Chivu.