Trajneri Jose Mourinho, që aktualisht e udhëheqë Benfican portugeze, e ka pranuar se largimi nga Interi në vitin 2010 për te Real Madridi, ka qenë vendimi më i vështirë në karrierë.
Por, ai ka shtuar se një gjë të tillë do ta bënte sërish, ndërsa ka theksuar se asnjë lojtar aktual i “nerazzurrëve”, nuk do të kishte vend si titullar në ekipin e Interit që e fitoi “tripletën”.
“Më pëlqejnë shumë lojtarë aktual të Interit, por asnjëri prej tyre nuk do të luante në ekipin tim që e fitoi ‘tripletën’”, ka deklaruar Mourinho në një intervistë të gjatë dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
Sipas raportimeve të fundit, Mourinho do të kthehej në Madrid sërish, nëse do t’i kishte kompetencat më të mëdha për transferimin e lojtarëve, në ndërtimin e ekipit.
Mourinho është kandidati kryesor për ta zëvendësuar trajnerin e përkohshëm, Alvaro Arbeloa, në postin e trajnerit. Arbeloa në fillim të vitit e zëvendësoi Xabi Alonson e shkarkuar.