Ardon Jashari është pranë kthimit nga lëndimi i rëndë që pësoi në fund të gushtit.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka zbuluar planin specifik për kthimin e Jasharit. Ai në konferencë për media ka zbuluar se Jashari pritet t’i bashkohet të mërkurën pjesës tjetër të ekipit kuqezi. Po ashtu, ka theksuar se Jasharit do t’i organizohet një ndeshje miqësore për të parë zhvillimin e tij.
“Sa i përket Jasharit, mendoj se ai mund të ribashkohet ngadalë me ekipin duke filluar nga e mërkura. Do t’i duhet kohë. Gjatë pushimit, do të përpiqemi të organizojmë një miqësore sepse, sidoqoftë, të mos harrojmë se ai mbërriti në fillim të gushtit, luajti vetëm 45 minuta në një miqësore në Dublin dhe më pas u lëndua. Ai praktikisht ka qenë jashtë futbollit për tre muaj e gjysmë. Kështu që ai duhet të rikthehet në ritmin e gjërave dhe do të duhet pak kohë. Por vetëm rikthimi i tij në ekip është i rëndësishëm, veçanërisht për të, sepse është një djalë që dëshiron të kthehet. Por do të duhet kohë për ta riintegruar dhe, mbi të gjitha, që ai të rifitojë formën e tij të mirë fizike”, ka thënë Allegri të hënën në konferencën për media para ndeshjes së kuqezinjve kundër Atalantas në Bergamo të martën. Ndeshja nis në orën 20:45 dhe i takon xhiros së nëntë të Serie A.
Jashari në gusht pësoi lëndim në një duel me Santiago Gimenezin në stërvitje.
Jashari u bë një nga transferimet më të shtrenjta të Serie A gjatë afatit kalimtar të verës. Kaloi te Milani për 37 milionë euro nga Club Brugge.
Para lëndimit ai kishte luajtur vetëm 40 minuta në dy paraqitje si zëvendësues për Kupë të Italisë dhe në Serie A.