Futboll

Milani bëri ofertën e re për Jasharin, Tare thotë se nuk do ta përmirësojnë më

Ardon Jashari

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar ofertën e re për Ardon Jasharin. Mesfushori ka shprehur interesim për t’u transferuar te Milani, por Club Brugge ka refuzuar ta lëshojë deri më tani.

Milani e vlerëson shumë të rëndësishëm Jasharin dhe ka bërë ofertë të re, më të madhe për 22-vjeçarin. Kështu kanë raportuar mediat italiane të dielën.

“Ne kemi raporte të mira me Club Brugge dhe kemi bërë ofertë tjetër për Jasharin”, ka thënë Tare për “La Gazzetta dello Sport”.

“Ne e vlerësojmë ofertën të rëndësishme dhe në përputhje me vlerat e lojtarit. Nuk duam të shkojmë tutje”, ka thënë Tare.

Sipas kësaj gazete italiane, oferta e parë e Milanit ishte 32,5 milionë euro dhe dy të tjera në bonuse. Ndërkohë oferta finale është 33,5 milionë euro, plus bonuse që sërish shkon në 35 milionë euro.

Jashari tashmë ka arritur marrëveshje personale me Milanin, ndërsa nuk po grumbullohet nga skuadra belge për ndeshje.

Brugge ka kërkuar 40 milionë euro për Jasharin dhe mbetet të shihet nëse do të pranohet oferta e Milanit.