Futboll

Mecini: Shqipëria e ka kuptuar qasjen se si të zhvillohet futbolli, nuk kalkulon më në eufori

Sociologu Albert Mecini ka thënë se me qasjen e treguar të futbollistëve, stafit dhe udhëheqësve të futbollit në Shqipëri, para ndeshjes me Serbinë në kualifikimet për Botëror, është dëshmuar se Shqipëria ka krijuar qasje të re të zhvillimit të sportit dhe se më nuk kalkulon në eufori.

Shqipëria dhe Serbia përballen të shtunën në “Air Albania” në Tiranë, në një ndeshje që për shkak të historisë së kombeve dhe përballjeve të tensionuara në të kaluarën ka nxitur edhe debat politik. Sipas Mecinit, bëhet thirrje vazhdimisht që politika të jetë larg sportit, por ai ka thënë se kjo është pothuajse e pamundur të ndodhë.

Mobilizimin e madh shtetëror me masa të rrepta të sigurisë për ndeshjen e së shtunës, Mecini e ka parë si diçka që Shqipëria synon të mos e dëmtojë imazhin progresiv që e ka krijuar.  

Mecini ka thënë se përderisa dikur Shqipëria ka fituar ndeshje edhe për shkak të euforisë së tifozëve, tash ka kualitet më të lartë dhe qasje të re në futboll.

“Kam dëgjuar intervistat e futbollistëve dhe stafit që thonë se fokusi është te ndeshja dhe te pikët. Edhe krerët e federatës dhe institucionalë, ishin të vetëdijshëm që duke pasur parasysh nivelin e futbollistëve që kanë pasur në dispozicion kanë pasur nevojë për euforinë e tifozëve për të fituar ndeshje edhe pse kualiteti s’ka qenë për t’i fituar ndoshta. E ato janë fituar edhe pse cilësia ndoshta s’ka qenë aq e lartë por në 5 vjetët e fundit ka shkuar duke u rritur. Sot ata luajnë në klubet më të rëndësishme evropiane. Tash krerët e futbollit atje apo njerëzit që merren me të kanë kuptuar se qasja se si të zhvillohet futbolli i Shqipërisë, të ndryshojë. Jo më të kalkulohet në predispozitat euforike...”, ka thënë Mecini në Interaktiv të KTV-së të premten.

Sipas tij, kjo çështje kërkon mirëmenaxhim dhe fokus në atë që të ketë një sukses final.

“Euforia mund ta kualifikojë dikë në Evropian, por suksesi i mëtutjeshëm varet nga elementi racional dhe gjendjes psikosociale që shkaktohet në atë staf dhe ambient për vazhdim. Mendoj se si komponent më në fund është arritur”, ka thënë ai.

Ligjëruesi i sociologjisë së sportit në Universitetin e Prishtinës ka thënë se edhe te Kosova ka shenja të ngritjes së profesionalizmit, me qetësinë që ka krijuar përzgjedhësi Franco Foda.