Futboll

Pas fitores së madhe, Shqipëria nis përgatitjet për miqësoren në Tiranë

Shqipëria A

Pas fitores së madhe ndaj Serbisë 1:0 të shtunën mbrëma në Leskovc, Shqipëria ka nisur menjëherë përgatitjet për miqësoren ndaj Jordanisë. 

Ndeshja ndaj Jordanisë luhet të martën në stadiumin “Air Albania” nga ora 19:00. 

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se përzgjedhësi brazilian, Sylvinho, e ka ndarë grupin në dy pjesë, për stërvitjen e së dielës. Ata që luajtën ndaj Serbisë kryen rigjenerim, kurse të tjerët kanë punuar në me top dhe situata të ndryshme të lojës. 

“Atmosfera në kampin kuqezi është shumë pozitive. Lojtarët e kanë kthyer në festë fitoren historike që e afron edhe më shumë Shqipërinë me objektivin për të siguruar një vend në plejofin e Botërorit 2026. Pas këtij suksesi, të gjithë lojtarët e Kombëtares ftojnë tifozët shqiptarë të mbushin shkallët e stadiumit ‘Air Albania’ për të krijuar një atmosferë fantastike dhe festive, ashtu siç u festua ai triumf në rrugët e çdo qyteti e vendi ku flitet shqip”, ka shkruar FSHF-ja ndër të tjera. 

Shqipëria të shtunën fitoi në stadiumin “Duboçica” në Leskovc ndaj Serbisë me golin e shënuar nga Rey Manajt në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. 

Ndeshja i takoi Grupit K kualifikues të Botërorit që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. 

Anglia i prin grupit me 15 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e dytë ka 11 pikë. Serbia me një ndeshje më pak të luajtur ka shtatë pikë në vendin e tretë. 

Letonia e katërta ka pesë pikë, ndërsa një pikë e ka Andorra në vendin e fundit.