Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Drita kampione e Kosovës në futboll, i jep fund dominimit të Ballkanit

Drita në epërsi, titulli pranë

Drita është kampione e re e Kosovës në futboll. Skuadra gjilanase e siguroi titullin e kampionit të dielën me fitoren 1:0 ndaj Llapit.

Drita ka siguruar titullin e kampionit katër xhiro para fundit të edicionit 2024/2025.

Iljasa Zulfiu e shënoi golin e fitores për Dritën ndaj Llapit. Ai realizoi nga një goditje dënimi në minutën e 84-t të ndeshjes në Gjilan.

Drita i ka 69 pikë, 12 më shumë se Ballkani i vendit të dytë. Por gjilanasit i kanë fituar të gjitha tri ndeshjet me Ballkanin, kështu që edhe në rast se në fund skuadrat kanë pikë të barabarta, Drita do të jetë e para.

Pikërisht dominimin e Ballkanit e ka ndërprerë Drita. Ballkani i Suharekës i kishte fituar tre titujt e kaluar të kampionit.

Për Dritën e Gjilanit është titulli i katërt i kampionit. Të parin e kishte fituar në vitin 2003. Më pas triumfoi në kampionat edhe në edicionin 2017/18 dhe së fundi në edicionin 2019/2020. Prishtina më pas ishte kampione në edicionin 2020/2021, ndërsa Ballkani i fitoi tre titujt e kaluar.

Edhe Drita një fitore larg titullit Futboll Drita një fitore larg titullit

Drita ka dominuar thuajse gjithë kampionatin dhe gradualisht bëri shkëputje me skuadrat tjera pretendente. Dhe të dielën, në ndeshjen e xhiros së 32-të, e siguroi titullin e kampionit. Prishtina mbetet skuadra më e suksesshme me 11 tituj të kampionit.

Drita tani është e dyta me katër tituj, ndërsa nga tre i kanë Ballkani, Feronikeli dhe Besa e Pejës.