Futboll

Lyoni bën ofertë për Rrahmanin

Albion Rrahmani

Albion Rrahmani e ka nisur furishëm edicionin e ri në elitën e futbollit çek. 

Rrahmani të dielën mbrëma shënoi dy gola në fitoren 3:1 të Spartës së Pragës ndaj Zlinit. 

Por pavarësisht se është në formë shumë të mirë te Sparta, Rrahmani mund të ndryshoj skuadër. Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e këtij afati kalimtar. 

“Footmercato”, ka raportuar të hënën se klubi i madh francez, Olympique Lyon, ka bërë ofertë për Reprezentuesin e Kosovës. Lyoni ka ofruar gjashtë milionë euro për Rrahmanin. 

Kjo ofertë konsiderohet e pamjaftueshme nga klubi çek që po kërkon tetë milionë euro për ta lënë të lirë qendërsulmuesin Rrahmani. 

25-vjeçari këtë edicion në 13 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar tetë gola. 

Pjesë e Spartës së Pragës, Rrahmani është prej verës së vitit të kaluar kur u transferua nga Rapid Bukureshti për pesë milionë euro. 

Ai karrierë ka bërë edhe te Ballkani e Malisheva.