Xherdan Shaqiri ka udhëhequr Baselin drejt titullit të kampionit të Zvicrës në futboll. Shaqiri është yll i futbollit në Zvicër, ndërsa e ka përkrahjen e plotë në skuadër. Për këtë ka folur mbrojtësi i majtë, Dominik Schmid.
Shaqiri nuk shquhet për kontributin në mbrojtje, por Schmid ka thënë se kjo nuk është problem.
“Është normale që kur ke cilësitë e Shaqirit dhe kur shfaqesh kaq mirë, që secili të bëjë diçka më shumë për ty”, ka thënë Schmid. Ai, megjithatë, ka shtuar se Shaqiri punon edhe në mbrojtje dhe që të gjithë lojtarët e tjerë japin më shumë nga vetja.
“Është një miksim i mirë”, ka thënë Schmid për “Bluesport”.
Shaqiri, që është ikonë e futbollit në Zvicër, vlerësohet shumë i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes te Baseli.
“Ai sjell prani të jashtëzakonshme, të pakrahasueshme. Kjo na shtyn të gjithëve që të bëjmë më shumë”.
Schmid ka thënë se Shaqiri është lojtar që kërkon shumë nga të gjithë në ekip, por edhe nga trajneri dhe stafi.
“Mendoj që na është dashur kjo”, ka thënë Schmid, që është në periudhën e dytë te Baseli. 27-vjeçari është shumë i rëndësishëm te Baseli, ndërsa është rritur te kjo skuadër. Pas largimit nga Baseli në vitin 2020 luajti për Grasshopperin, ndërsa u kthye në vitin 2023. Baseli e ka fituar titullin pas pritjes së gjatë.
Schmid është pyetur nëse Shaqiri merr pjesë në ngjarjet që zhvillohen jashtë stadiumit.
“Ai do të dëshironte shumë. Por, personaliteti i Shaqirit është aq i njohur në Zvicër, sa që nuk mund të shkojë askund pa e vënë kapelën”.
Shaqiri në verën e kaluar u kthye te Baseli. Erdhi për ta fituar titullin dhe e arriti këtë. Në fundjavë, Baseli luan në finale të Kupës dhe pritet ta fitojë edhe këtë trofe.
Sipas Schmidit, Shaqiri është shumë i shoqërueshëm dhe autentik.
“Gjithmonë ke ndjesinë se ai vërtet gjen kohë për ty. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për lojtar, anëtar të stafit, trajner, kuzhinier apo pastruese. Nuk ka rëndësi. Ai gjithnjë të kushton kohë dhe është shumë i këndshëm”.
Shaqiri ka luajtur në disa prej klubeve më të mëdha në futbollin evropian dhe ka trofe të rëndësishëm të fituar. Por, askund nuk e kishte ndikimin si te Baseli, që e ka aktualisht.