Klubi i futbollit Llapi krenohet me shitjen e lojtarëve. Në klubin llapjan thonë se kanë fituar mbi 800 mijë euro nga shitja e lojtarëve.
Por Llapi ka edhe obligime financiare për të kryer.
Klubi i drejtuar nga Tahir Batatina obligohet t’ia paguajë mbi 20 mijë euro lojtarit që nuk luajti asnjë minutë. Bëhet fjalë për Valmir Berishën, të cilin e prezantoi më 10 qershor 2024. Te Llapi kaloi pas paraqitjes me Lirinë e Prizrenit.
Llapi humbi rastin me Valmir Berishën fillimisht në FIFA e më pas edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Gjykata me seli në Llozanë të Zvicrës më 10 dhjetor ka publikuar vendimin për rastin me Berishën.
Në vendim thuhet se Berisha kishte ngritur një padi në FIFA më 10 shtator të vitit 2024 duke kërkuar kompensim të papaguar për shkelje të kontratës në një shumë totale prej 31 mijë e 694 eurosh plus interesin.
Me vendimin e FIFA-s nuk u pajtua Llapi. Rastin e dërgoi në CAS.
Ankesa e Llapit e paraqitur më 11 mars 2025 kundër vendimit të dhënë më 31 janar 2025 nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të FIFA-s u aprovua pjesërisht, pasi më 13 gusht të vitit 2024, Berisha nënshkroi kontratë me Malishevën deri më 30 qershor 2027.
“Apeluesi kërkohet të paguajë shumat e papaguara prej 6 mijë e 677 eurosh e 42 centë dhe një kompensim prej 18 mijë e 322 eurosh e 58 centë për të paditurin e parë (Vamir Berisha v.j.)”, shkruan në vendimin përfundimtar të CAS-it.
Dokumenti që përshkruan në kronologji situatën e Llapit me Berishën është 25 faqe.
Berisha nuk ka dashur të komentojë rreth vendimit, ndërsa trajneri Tahir Batatina thotë se avokati i klubit është marrë me rastin.
“Kur të gjitha ekzaminimet mjekësore kryhen me sukses e nënshkruaj kontratën me lojtarin. Ai (Valmir Berisha v.j.) ka ardhur i lënduar te ne. Ka ardhur nga Liria i lënduar, pastaj ka shkuar te Malisheva i lënduar dhe në fund tri klubeve nuk u ka dhënë kontribut pasi ka pasur një dëmtim kronik. E di që di që diçka avokati i klubit është marrë me rastin, por është gabim i yni që duhet të pranojmë dhe nuk duhet të përsërisim më gabime të tilla. Prandaj ftoj edhe klubet e tjera që mos marrin lojtarë pa përfunduar të gjitha kontrollet”, ka thënë Batatina për KOHËN të enjten.
Berisha së fundi ishte pjesë e Malishevës. Ekipit të Superligës iu bashkua pas largimit nga Llapi.
29-vjeçari që dikur ishte goxha i kërkuar nga klube të mëdha evropiane, më 12 janar u largua nga Malisheva.
Në njoftimin e Malishevës shkruan se kontrata është shkëputur me marrëveshje të dyanshme.
Berisha ka luajtur dy ndeshje për Suedinë në të kaluarën. Ka luajtur për të rinjtë e Romës, ndërsa si senior ndër të tjera luajti edhe për Panathinaikosin grek.