Futboll

LASK-u prezanton futbollistin e Kosovës

LASK-u prezanton futbollistin e Kosovës

Futbollisti që ka një paraqitje me Kosovën në miqësoren ndaj Norvegjisë në vitin e kaluar, Art Smakaj, do të luajë në elitën e futbollit austriak në edicionin e ardhshëm. 

Mesfushori defensiv, 22-vjeçari Smakaj është prezantuar të premten nga LASK-u. 

Ai u transferua në Bundesligën e Autrisë nga Lokomotiva e Zagrebit. 

Smakaj ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2028. 

Smakaj ka luajtur në 81 ndeshje për Lokomotivën, ndërsa debutoi në futbollin profesionist në shkurt të vitit 2022 si 19-vjeçar. 

22-vjeçari që ka paraqitje edhe me grupmoshën U21 dhe U19 të Kosovës, është vlerësuar lartë nga trajneri i LASK-ut, Joao Sacramento. 

“Art Smakaj është pikërisht profili i lojtarit për të cilin jemi interesuar. Ai është i ri, dinamik, sjell energji dhe pasion, merr përgjegjësi dhe dëshiron ta ketë topin në kontroll. Që nga biseda e parë, e kemi ditur se ai është lojtar me personalitet, brenda dhe jashtë fushës. E kemi bindur dhe ai do të sjellë kualitete të tjera në skuadrën tonë”, ka deklaruar trajneri Sacramento. 

Sipas faqes “transfermarkt”, transferimi i Smakajt është bërë për 700 mijë euro. 

Te LASK-u paraqitet edhe mesfushori tjetër i Kosovës, Valon Berisha.