Rasti i Arton Zekajt është njëri prej më të veçantëve i futbollistëve nga Kosova. Zekaj, që luan si mesfushor defanziv, është i lindur në Suboticë të Serbisë. Kishte nisur me futboll te Spartak Subotica e zhvillimin e hovshëm e bëri te Partizani i Beogradit.
Ishte vlerësuar talent shumë i madh dhe i parashikohej e ardhme e ndritur. Ai luajti për U15, U16 dhe U17 të Serbisë, ndërsa ishte kapiten në disa ndeshje të grupmoshave të reja të Serbisë. Në vitin 2019, Zekaj iu bashkua Kosovës U21. Me Shpresat e Kosovës i luajti pesë ndeshje.

Por karriera e këtij lojtari nuk shkoi në drejtimin që ishte shpresuar.
Te Partizani stërviti me ekipin e parë si 16-vjeçar, por pa debutuar. Kishte periudhë huazimi te Baçka e më pas ishte te Sopoti, ekip tjetër në Serbi. Në vitin 2018 u transferua te klubi i njohur francez, Lille. Debutoi që më 11 gusht 2018 në ndeshjen ndaj Rennesit. Shpejt u bart në ekipin e dytë të Lillet. Ndeshjen e fundit me Lille B, nga 16 gjithsej, e ka të evidentuar më 10 maj të vitit 2019.
Në verën e vitit 2022, i ishte bashkuar skuadrës Tisa Adorjan, që garonte në ligën e tretë të futbollit në Serbi. Dhe në dhjetor të vitit të kaluar kaloi te Hesperange në Luksemburg. I luajti 15 ndeshje në kampionatin e Luksemburgut, ndërsa e kishte një gol e një asistim. Së fundi u paraqit më 25 maj.
Tashmë Zekaj është pa skuadër, ndërsa mediumi serb “Mondo” ka shkruar për rrugëtimin e tij në karrierë. Serbët, ashtu si pritet, vështirësitë e tij në karrierë i kanë lidhur me kalimin te Kosova.
Zekaj që në prill të vitit 2017, kur ende ishte 16-vjeçar, kishte shprehur dëshirën që të luante për Kosovën. Ishte i pari lojtar shqiptar me të kaluar te përfaqësueset e Serbisë që shprehte një dëshirë të tillë. Ajo dëshirë më pas i ishte realizuar. Më 27 maj të vitit 2019, Zekaj u prit nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Tashmë futbollisti ishte pjesë e Lille dhe ishte i pajisur me pasaportë të Kosovës.

“Për mua është krenari e madhe që e kam zgjedhur Kosovën dhe që do ta veshë këtë fanellë, pasi në këtë mënyrë do t’i bëj krenar prindërit e mi, familjen time dhe krejt popullin e Kosovës, e gjithashtu edhe një njeri të madh që më nuk është në mesin tonë – legjendën, Fadil Vokrri”, theksonte Zekaj në një intervistë për FFK-në, të publikuar më 27 maj 2019.
“Të ardhmen çdo herë duhet ta shikoj për të arritur majat në futboll, qoftë në nivel klubesh, qoftë në nivel të kombëtareve. Normalisht, të gjithë lojtarët kanë dëshirë për të luajtur për Kombëtaren e parë, por hap pas hapi, lojë pas loje do të shohim si do të ecën gjërat. Mua më mbetet që t’i tregoj cilësitë e mia dhe te Kombëtarja U21 do të jap maksimumin tim, pastaj janë trajnerët ata që vendosin”, kishte shtuar mesfushori.
Ai debutoi te Kosova U21 më 9 shtator 2019, në ndeshje ndaj Anglisë. Katër ndeshje të tjera kualifikuese i luajti në vjeshtën e vitit 2020. Madje ndaj Shqipërisë U21 ishte kapiten.
Zekaj ishte pritur shumë ngrohtë te Kosova. Për këtë kishte folur vazhdimisht.
Megjithatë, karriera në nivel klubesh, deri më tani, nuk shkoi në drejtimin që ai e ka synuar. Dhe ai asnjëherë nuk është përmendur për mundësinë që të luajë për Kosovën A.
Pavarësisht kësaj, rrëfimi i tij mbetet shumë interesant dhe i veçantë.